
Flamurtari dhe Partizani ndanë nga një pikë secili dje në sfidën e zhvilluar në Vlorë, një barazim (1-1), i cili në fakt nuk është se i bëri punë askujt, të paktën për pretendimet (edhe pse të kundërta) që kanë dy ekipet.
Megjithatë, nëse ekipet u ndanë në "paqe" në fushën e lojës, Shpëtim Duro dhe Sulejman Starova nuk dhanë shenja se janë "pajtuar" mes tyre.
Të paktën, një gjë e tillë u konfirmua nga fakti se, si trajneri i Flamurtarit, ashtu edhe ai i Partizanit nuk u panë të takoheshin mes tyre. Starova shkoi pas ndeshjes në stolin e Flamurtarit duke takuar disa prej lojtarëve të ekipit vlonjat, por Duro nuk gjendej aty, pasi hyri direkt në dhomat e zhveshjes pas vërshëllimës finale të gjyqtarit. Debati mes tyre ka ekzistuar pas largimit të Duros nga bankina e Partizait.
Por, një tjetër e veçantë e sfidës Flamurtari-Partizani ishte edhe fakti se në tribunën VIP nuk gjendej presidenti i të kuqve, Gazmend Demi, ndërsa nuk mungoi Luciano Moggi, këshilltari i tij personal në klubin kryeqytetas.
Ish-drejtori i Juventusit hyri në dhomat e zhveshjes pas përfundimit të takimit duke ngushëlluar lojtarët pas barazimit, por duke u dhënë njëkohësisht edhe kurajë për të besuar deri në fund te titulli kampion.
Në pushim të ndeshjes, Moggi mori vëmendjen maksimale edhe nga tifozët e Flamurtarit, të cilët nuk nguruan të bënin foto me ish-drejtorin e Juventusit.