Stadium i ri për KUKËSIN, hidhet hapi i parë për impiantin verilindor
Shkruar nga NEWSPORT
Prej kohësh, presidenti Safet Gjici ka premtuar një stadium të ri për skuadrën e Kukësit, por deri më tani gjithçka kishte mbetur në "vend-numëro". Ekipi verilindor është detyruar të marrë "hua" shtëpitë e kundërshtarëve për të luajtur si pritës ndeshjet e tyre.
Sot, bëhet me dije që është hedhur hapi i parë për ndërtimin e një stadiumi të ri që pritet të ketë parametra europiane. Përmes një postimi në kanalin zyrtar, klubi kuksian bën me dije që:
"Ka nisur studimi i fizibilitetit në sipërfaqen ku do të ndërtohet stadiumi i ri i qytetit të Kukësit. Një grup ekspertësh kanë nisur matjet sizmike për të përcaktuar sjelljen e terrenit poshtë në rast tërmetesh. Pas kësaj, ekspertët do të përcaktojnë parametrat gjeoteknike të duhura për ndërtimin e stadiumit të ri që përfshin tribunën dhe ndërtesat e tjera.Sa i takon rezultateve të punës së kësaj faze, ato do të dalin pas shpimeve të cilat do të bëhen në gjithë perimetrin e përcaktuar. Nga ana tjetër, mostrat e marra do të dërgohen në laborator të specializuar në mënyrë që të dhënat të jenë sa më të sakta. Puna në terren po realizohet sipas standardeve amerikane dhe britanike.Ndërtimi i stadiumit të ri të qytetit të Kukësit do të bëhet në bashkëpunim mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Qeverisë Shqiptare. Mungesa e një stadiumi me standarde bashkëkohore e ka penalizuar skuadrën e Kukësit që të zhvillojë ndeshjet në qytetin e saj. Me përfundimin e ndërtimit të stadiumit të ri, përveç ndeshjeve kombëtare, skuadra jonë do të ketë mundësinë e zhvillimit të ndeshjeve ndërkombëtare në qytetin tonë", shkruhej në njoftimin e klubi kuksian.