
Shqipëria do të luajë nesër ndeshjen e parë të Euro 2024 përballë Italisë, në orën 21:00 në Dortmund. Emocionet janë të mëdha, të gjithë presim me padurim debutimin e kuqezinjve teksa tifozët kanë nisur marshimet në rrugët e Gjermanisë.
Trajneri Sylvinho dhe kapiteni Berat Gjimshiti u paraqitën në konferencën zyrtare në prag të sfidës. Pas fjalës së mbrojtësit, Sylvinho iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve për gjendjen e skuadrës, objektivat e të gjithë rrugëtimin e kuqezinjve.
Debutimi në Euro 2024, si ndiheni?
Para së gjithash jam i lumtur që jam këtu, kemi pasur një garë të vështirë në kualifikuese dhe është nder të jem me Shqipërinë në Euro 2024. Më vjen keq që kapiteni Gjimshiti nuk ka luajtur në 2016, por më vjen mirë për mundësinë që tashmë është dhe e meriton. Ai na përfaqëson shumë mirë. Ne jemi në një grup shumë të vështirë, është një kompeticion i madh. Por, do të futemi për të garuar dhe për të luftuar për çdo pikë dhe për ta pasur një kampionat të mrekullueshëm. Do të jetë e vështirë ndaj Italisë, pas stërvitjes do të vendosim për formacionin, edhe pse është pothuajse i vendosur formacioni.
Prania e shumë tifozëve shqiptarë në stadium?
Ka shumë shqiptarë gjithandej nëpër botë. E dimë që ka shqiptarë në Gjermani, Itali, Zvicër, gjithandej. Është një përgjegjësi shumë e madhe për ne, që të përfaqësojmë këta njerëz që jetojnë anembanë. Kështu që do të jetë edhe më mirë në një stadium të mbushur, me ngjyrat kuqezi më së shumti.
Italia e Mancinit dhe Spalletti?
Ka shumë diferenca mes Italisë së kaluar dhe asaj të tanishme. Por, Italia është një skuadër e nivelit më të lartë, ka lojtarë të shpejtë dhe një trajner të mrekullueshëm. Mancini ka bërë punë të madhe, Spalletti po ashtu. Kanë eksperiencë, janë një “top” skuadër. Kur futen në fushë, e bëjnë për të fituar kompeticionin. Por, edhe ne do të futemi për pikë.
Atmosfera para ndeshjes me Italinë?
Ju më njihni shumë mirë, kemi biseduar pas ndeshjes me Moldavinë ku e kemi marrë biletën për kampionatin europian. Tani, 6 muaj më vonë, ndjenjat janë të njëjta. Skuadra ëshët shumë e motivuar. Djemtë janë të gatshëm dhe do jetë një ditë e mrekullueshme për të përfaqësuar vendin. Do jetë dita me më shumë emocione pas asaj ndeshje me Moldavinë. Do futemi në fushë për të dhënë më të mirën tonë.
Do të doja t’ju pyesja se çfarë Italie prisni. Spalletti mund të luajë me tre apo katër mbrojtës? Kush do të luajë në portë Berisha apo Strakosha?
Me atë që kemi parë, ata mund të përshtaten me sistemin 3-4-3 dhe 4-3-3, mund të ndryshojnë sistemin në varësi të kundërshtarit. Janë të vështirë për t’u thyer. Italia ka një anë të fortë, mbrohet shumë mirë, dhe e mban topin me pozicion të qëndrueshëm. Ka lojtarë që vrapojnë shumë dhe kanë shkathtësi të theksuara. Ne kemi edhe një seancë stërvitore pastaj do të vendosim për formacionin titullar.
Në grup me ekipe të mëdha?
E dimë se çfarë gare është, e dimë sa të mëdhenj janë kundërshtarët. Në vitin 2018 luajtëm me Zvicrën me Brazilin dhe kishim vështirë, edhe pse ishim favoritë. Do dalim në fushë dhe të luftojmë për secilën pikë. Është një ndeshje e vështirë, por është fantastike. Çdo gjë mund të ndodhë në një ndeshje futbolli.
Dilema për formacionin startues?
Ne i kemi studiuar që të tre kundërshtarët, jemi përqëndruar shumë te Italia si ndeshje e parë. Kemi punuar gjashtë apo shtatë ditë, një kohë e mjaftueshme për të ndërtuar një strategji. Pastaj kemi menduar edhe për dy ndeshjet e tjera. Për Italinë, dëshira jonë është të zbresim në fushë dhe të luajmë mirë.
Lojtarët me pak minuta?
Kur një lojtar ka më shumë minuta, është më mirë. Fizikisht djemtë janë mirë, edhe në aspektin individual. Asani e Broja duken mirë fizikisht.
Mendoni që Mitaj dhe Daku mund ta përmirësojnë skuadrën, apo do të preferonit që në vend të Rusisë të luanin në një vend tjetër europian?
Janë dy lojtarë shumë të mëdhenj, të mrekullueshëm. Daku është shumë i mirë, ata mund të përmirësohen në Rusi. Është një ligë e fortë në aspektin fizik. Mitaj është një lojtar taktik, e dua dhe e kam sjellë kur ishte 19-vjeç. E kam parë në kombëtare, mund ta ndihmoj shumë kombëtaren. Ka bërë një punë shumë të mirë. Më pëlqejnë që të dy dhe e di se mund të përmirësohen shumë në Rusi, por edhe në vende të tjera.