Për të dytin vit radhazi, në Mbrëmjen Gala “Topi i Artë”, ku një hapësirë e veçantë i kushtohet Kombëtares shqiptare, kapiteni Berat Gjimshiti u nderua me çmimin prestigjioz “Lojtari i Vitit i Kombëtares”.
Çmimin e veçantë ia dorëzoi Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
Berat Gjimshiti udhëhoqi Kombëtaren shqiptare drejt një tjetër arritjeje historike, duke siguruar kualifikimin në fazën play-off të Kupës së Botës, ku Shqipëria, për herë të parë në histori, në mars të vitit 2026 do të tentojë të sigurojë një vend në Botëror.
Përzgjedhja e tij si “Lojtari i Vitit i Kombëtares” u bë përmes votave të vetë futbollistëve të Kombëtares shqiptare. “Këtu jemi në mbretërinë e Armando Dukës dhe do flasë mbreti vetë. Është çdo vit e më mirë, më spektakolare dhe mbi të gjitha dua ta komplimentoj që ka rritur nivelin e të ftuarve, duke filluar nga Esteban Cambiasso e duke vazhduar me shefin e arbitrave të Italisë, të cilin e përshëndes.
Ndërkohë, duke iu referuar një bisede që kam pasur me Cambiasson, më kujtohet një fjalë kur më tha që për të luajtur me fanellën e Argjentinës, një futbollist është gati t’i dhurojë të dyja këmbët. Realisht, fanella e kombëtares që edhe unë kam pasur nderin ta vesh, por jo në nivelin e Kreshnik Çipit, por lojtar si niveli i Balajt, që është i mirë si niveli Albania.
Realisht është diçka komplet tjetër. Të gjithë e kemi të qartë, falë këtyre djemve të pranishëm, falë trajnerit Sylvinho dhe drejtuesve, sesi ajo fanellë na përfshin të gjithëve në një lumë popullor ku edhe ne, që nuk arrijmë të bëhemi bashkë as për orën, ndihemi të gjithë pjesë e të njëjtës gjë. Kjo është vlera e jashtëzakonshme që ekipi sjell.
Dua me këtë rast të përshëndes ata që kanë hedhur bazat e kësaj historie suksesi, De Biasi, Edi Reja që janë të pranishëm, dhe ty Ardit, që more shumë komplimente për elegancën”, tha kryeministri Rama në dorëzimin e çmimit të mësipërm. Pas këtij triumfi foli edhe kapiteni Berat Gjimshiti:
“Ju përgëzoj për organizimin. Falënderimi i parë për çunat e kombëtares, pa ata asnjë arritje nuk vlen. Pastaj stafin dhe presidentin Duka, dhe kryeministrin. Më në fund familja ime, që është gjithmonë pranë dhe gjithë sakrificat që kanë bërë për mua.
