Partizani barazoi 2-2 kundër Elbasanit, ndeshje e vlefshme për javën e 22-të të Superiores. Një sfidë që prodhoi gjithçka përveç fituesit.
Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Oltijon Kërnaja shkëlqyen në këtë supersfidë duke treguar punën e mirë të bërë nga tropojani, paçka se tifozët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre. E megjithatë shifrat janë ato që flasin drejtë, duke treguar se Partizani ka qenë dominues ndaj verdhebluve të Gvozdenoviç.
Skuadra kryeqytetase dominoi lojën, duke mbajtur 61% të posedimit të topit, kundrejt 39% të Elbasanit. Të kuqtë regjistruan gjithashtu më shumë aksione sulmuese, duke arritur 18 herë në zonën kundërshtare, ndërsa Elbasani vetëm 8.
Në aspektin e pasimeve, Partizani ishte dukshëm më i saktë, me 84% pasime të sakta (310 nga 371), krahasuar me 77% të Elbasanit. Po ashtu, vendasit realizuan më shumë pasime progresive dhe drejt zonës finale, duke treguar iniciativë të vazhdueshme në ndërtimin e aksioneve.
Edhe në lojën e hapur, Partizani ishte më aktiv, me 64 posedime, përballë 55 të miqve, si dhe me më shumë aksione të gjata që sollën presion konstant në mbrojtjen elbasanase.
Megjithatë, pavarësisht epërsisë në statistika dhe kontrollit të lojës, Partizani nuk arriti ta konkretizojë dominimin me fitore, ndërsa Elbasani u tregua efikas në momentet kyçe, duke marrë një pikë të vlefshme nga transferta.
