Është ndarë nga jeta në moshën 92 vjeçare, ish-basketbollisti i shquar i Lomokotivës së Durrësit, Gjon Luli.
Këtë lajm të trishtë e ka njoftuar Akademia Sportive Goga Basket, që shkruan se ikona e mësuesit të basketbollit mbylli sytë përgjithmonë mbrëmjen e së hënës, duke lënë kështu dhimbje tek ata që e njohën dhe mësuan prej tij.
I lindur më 16 tetor të viti 1934, Luli u konsiderua në mbarë komunitetin sportiv si një sportist i rrallë që ia dedikoi jetën dhe kohën brezave të rinj.
Ai i përkiste brezit të artë të sportistëve që hodhën themelet e basketbollit durrsak në vitet ’50 dhe ’60, teksa ishte edhe pjesë e Lokomotivës, ekip që përfaqësonte me krenari qytetin në kampionatet kombëtare.
Një largim i dhimbshëm, por me kujtimet e tij që do të vijojnë të mbeten një kujtesë e gjallë për të gjithë ata që u ndikuan prej “mentorit” që edukoi dhe udhëhoqi një brez drejt suksesit.
