
Nga Retin TOKA
Në fëmijërinë e tij s'i mungoi kurrë asgjë. Në çdo hap që hidhte, prindërit i kishte nga pas për ta mësuar që të shkilte aty ku duhet. Por, si çdo fëmijë, ndoshta pak trazovac, jo gjithçka do ta merrnin vesh ata. Mund ta kishte më të lehtë t'i tregonte mes 10-tave të shkollës, kaçurrelsën në bangën ngjitur që i kishte tërhequr vëmendjen. Por, e kishte të pamundur t'ia shpjegonte të atit dashurinë e përjetshme të jetës së tij, "Tironën".
Arbi Laçi shumë e njohin me kollare, por të paktë janë ata që e kanë rastisur jashtë kornizave. Sot i drejtojnë gishtin dhe me buzën në gaz thonë: "Kampioni". Në vitin më të vështirë të historisë së futbollit shqiptar, ai bëri atë që prej shumë vitesh ishin strapacuar për ta arritur. Titulli kampion u rikthye në shtëpi pas 11 vitesh. Në eksperiencën e parë si drejtor sportiv i një klubi të madh futbolli suksesi eci paralelisht me të.
"Ku është Arbi sot? S'ka ardhur?", kjo ishte pyetja e babait të tij teksa priste të birin në shtëpi për të ndarë ndodhitë e ditës. Por, ishte e kotë. Shkolla "Kosova" ishte pranë ish-stadiumit "Qemal Stafa" dhe rruga për në shtëpi kishte ndryshuar. Pa vetëdije këmbët e kishin çuar përballë tribunës D2 ku shihte me vemëndje policët, ndërsa mendja i punonte si mund të ishte përtej atij gardhi. Fytyra ëngjëllore e tij ishte antonim i situatës së krijuar nga tifozët, disa që shtynin për të hyrë, e të tjerë që prisnin një "shkelje" syri nga polici.
Inteligjencën e kishte të lindur dhe menjëherë pikasi një zotëri me biletë në dorë. Iu bashkua atij dhe "xhaxhi policit" i tregoi se ishte me të. Shpejt e pa veten brenda stadiumit. Zemra e tij e vogël rrihte fort, ndërsa provoi atë që ai e thotë me krenari sot: "Dashuri me shikim të parë, me ngjyrat bardheblu". Prej asaj dite, u bë më shumë se pjesë e tyre. I ati asokohe s'ishte ndonjë tifoz i thekur, por i pëlqente Dinamo. Ndërsa e ëma kishte simpati për Partizanin. Derbi brenda familjes u krijua pikërisht nga ky djalosh që kishte lindur si ultras kryeqytetas.
Dalëngadalë vitet ecën e në krah me Arbin, ndryshuan ëndrrat dhe qëllimet e tij. Të gjithë, të afërm apo shokë e donin aty për të ndarë dy fjalë me të. Por, ishte e pamunduar. Ai ishte cep më cep Shqipërisë dhe atëherë kur e kishe përballë s'do të kishte zë për të kthyer përgjigje. Ishte ngjirur duke bërtitur atje, majë tribunës. U rrit në vitet kur Tirana e madhe ishte në simbiozë me fitoren. Së bashku me gazetarin e njohur, Erl Murati apo Andi Verçanin, tashmë pjesë e rëndësishme e FSHF-së, ishin organizatorët e tifo-grupit më të njohur në Shqipëri: "Tirona-Fanatics".
Në një rrugëtim gjithmonë do të ketë pengesa. Nuk është e lehtë të ndërmarrësh një udhëtim të gjatë, sidomos kur qëllimi është të arrisësh vetëm majën. Shumë do të preferonin të qëndronin apo bënin pushime, ndërsa Laçi jo. S'u lodh kurrë dhe me moton e Fanaticsave "I pari, i vetmi" ai eci dhe vrapoi. Kishte shumë që provuan ta nxirrnin jashtë rruge, por një "makine me goma mishi", është humbje kohe t'provosh t'i "çash".
Nga shkallët e stadiumit, dha kontributin e tij në medien e shkruar duke qenë në strukturat drejtuese të një gazete prestigjoze në vend. Por, ai e ndjente se vendi i tij s'ishte aty. Talenti për të shkruar kishte lindur bashkë me të. E ndërsa kishte preferuar të qëndronte jashtë familjes së madhe bardheblu, ai vendos dhe futet brenda. E kërkon nevoja e këtij klubi për të pasur një njeri që e do më shumë se çdo gjë në këtë tokë. Fillimisht si përgjegjës i marrëdhënieve me publikun. Punoi me devotshmëri. Megjithatë diçka e brente prej kohësh.
Ai ishte mësuar me trofe në duart e lojtarëve të tij. Kishte qeshur e qarë njëkohësisht me ta nga gëzimi, kur ekipi më i titullar në Shqipëri shtonte kupat në vitrinën e këtij klubi legjendar. Për 11 vite me radhë trofeu i kampionit u shndërrua në "deja-vu". Bindja e brendshme e thërriste se duhej të merrte në dorë "frerët" për të risjellë edhe njëherë buzëqeshjen në kryeqytetin e tij siç ai preferon ta quajë.
"E kam vendosur, ti do jesh drejtori sportiv", këto ishin fjalët e presidentit Refik Halili i cili miratimin e mori vetëm me buzëqeshje. Nuk humbi kohë aspak, por nisi nga puna. I emëruar si drejtor sportiv bën "goditjen" e parë në Superiore. Ndërsa disa vite më parë kishte afruar në skuadër Izmir Dodën, i cili me shkrepjet e tij, e çoi imazhin bardheblu në standartin europian, Mario Nikolli, do të ishte bashkëpunëtori i ngushtë i Laçit. I cilësuar nga gjithë analistët si "team-manager"-i më i mirë i kampionatit shqiptar, djali kurbinas shndërrohet në "bletën punëtore" duke ngritur në piedastal klubin e Tiranës. Ishte "velur" me kupat e Europës në klubin e Skënderbeut dhe eksperiencën e tij ia ofroi pa "kursim" 25 herë kampionëve të vendit.
Vendi i Laçit tanimë ishte jashtë zyrave të klubit. E kështu bëri. Shkoi sërish atje ku e kishte nisur, në tribunë. Por, me mision tjetër. Ishte i bindur që në klubin e Tiranës ka talente. E në fakt puna e tij i dha të drejtë. Jurgen Celhaka, Ernest Muçi dhe Marsen Ismajlgeci ishin "prurje" të Arb Laçit. Pak më vonë afroi në klub edhe një "Pirlo" të vogël të quajtur Andri Stafa. Fillimisht askush s'i përmendte. Megjithatë ky njeri kishte arritur ta ushqente besimin si duhet duke mos u dorëzuar asnjëherë. Skeptikëve iu përgjigj në çdo kohë me punë.
Sezoni që lamë pas nuk nisi siç duhet për Tiranën. Merkato ishte në nivelin e klubit kampion, por fusha s'tregonte atë. Mediet iu "vërsulën" të gjitha sepse kudo që përmendet Tirana përbën lajm. Laçi sërish s'preferonte polemika. Vijonte të punonte me bindjen e plotë se të gjithë do të duan të "marrin apo shijojnë një copë nga torta". Fillimisht e provoi Ard Mema e më tej Ahmataj. Ashtu siç ishte i bindur për talentët e sipërpërmendur, e dinte që njeriu se do të rikthente titullin ishte brenda klubit.
"President, unë jam i mendimit që skuadrën ta drejtojë Egbo", ishin fjalët e tij për kreun e klubit bardheblu. Shumë aludime për trajnerë të tjerë në qarkullim, por Refik Halili i besoi krahut të djathtë të tij, Arbi Laçit. Javët pasuan njëra-tjetrën duke ecur shpejt-shpejt, e po ashtu edhe ata që turreshin të merrnin meritat. E kuptuan që ky ekip ishte në shina dhe titulli ishte shumë pranë. Laçi sërish ishte aty e prap preferonte të qeshte. Si një "mjeshtër" i vjetër i medieve e kuptonte çfarë ndodhte. Megjithatë ndërgjegjjia e tij ishte e qete. Nuk donte merita, por vetëm Tirana e tij, e tifozëve të fitonte titullin. Edhe të verbrit do e ndjenin se djaloshi dikur trazovac, sot i kollarisur, i kishte shërbyer me devotshmëri këtij klubi.
Data 29 korrik, 2020. Kjo ditë është e skalitur në memorien e tifozëve të Tiranës dhe është shkruar me të arta në historinë e futbollit shqiptar. Titulli kampion rikthehet te bardheblutë pas plot 11 vitesh. Ata që punuan jashtë klubit, vrapuan për të marrë meritat. Për Laçin s'kishte rëndësi, për të mjaftonte që trofeu u ngjyros bardheblu.
Sot, ai ka titullin "kampion". Sot, një kampion ka zgjedhur t'i shohë ngjyrat e fanelës së zemrës ndryshe. Ia doli, e arriti. Premtimin që i bëri vajzës së tij të vogël, medaljen e kampionit, sot ajo e ka në qafë...
Fizikisht s'do të mund të jetë aty, por dashurinë pa kushte e sigurt që do t'ia ofrojë gjithmonë. "Tirona" është e vetja, kryeqyteti është vetëm i tij. Mos e vini në dyshim, mos e pyesni kot. Arbi Laçi, kampioni i tribunave, kampioni i zyrave, vlerë e shtuar e futbollit shqiptar. Është fillimi i një cikli të ri. Mirupafshim kampion...