Ndryshimet te Partizani në këtë sezon futbollistik ishin të shumta. Lojtarë të afirmuar, por të ardhur për herë të parë tek të kuqtë. Klubi kryeqytetas ndryshoi stafin teknik duke ia besuar pankinën shkollës italiane të futbollit. Giovani Colella ka marrë drejtimin e të kuqve, ku deri më tani gjendet në vend të parë me Partizanin në kuotën 12 pikëve. Humbja në derbi ka trazuar disi klimën te kryeqytetasit, megjithatë puna vijon intensive, si në fushë, ashtu edhe në sektorin drejtues.
Pikërisht edhe në drejtimin e Partizanit ka pasur ndryshime para nisjes së këtij sezoni futbollistik. Pranë klubit është afruar si drejtor sportiv u emërua Elton Marini, i cili menjëherë ia besoi 21-vjeçarët e Partizanit, vlonjatit Gerd Haxhiu.
Gjithashtu në klub ka pasur një bashkëpunim të frytshëm me ish-sulmuesin, Arbër Abilaliaj si dhe partnerin e tij në menaxhim, Ardian Aliaj. Abilaliaj është në rolin e scoutit tek të kuqtë, për të pikasur dhe pasuruar organikën e Partizanit me elementë cilësorë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Por, gjithashtu edhe për të promovuar lojtarë që mund të jenë pjesë e rëndësishme e 16-herë kampionëve të Shqipërisë, që në një të ardhme të mbushin arkën e klubit.
Kohët e fundit në sy ka rënë edhe një fakt tjetër. Drejtori i Përgjithshëm, Olsi Rama, ka preferuar të qëndrojë në hije, ndryshe nga sezonet e shkuara duke ia lënë skenën të gjithën “kolonisë vlonjate”. Ndofta përplasjet e vazhdueshme me tifozët si dhe mungesa e rezultateve, kanë bërë që drejtori i përgjithshëm të përdorë tjetër taktikë për të rehabilituar marrëdhënien e tij me mbështetësit e kuq.
Këtë sezon, Partizani po drejtohet nga emrat e sipërpërmendur, të gjithë vlonjatë. Presidenti Gaz Demi mbetet investitori i vetëm i klubit të kuq, kurse këtë sezon, veç Olsi Ramës, në krah të tij, ka të tjerë njerëz të besuar. A do t’i dalë për hajër? Pavarësisht humbjes në derbi, Partizani gjendet sërish në vend të parë me 1 pikë më shumë se ndjekësit. Merkato është bërë e mirë. Emrat janë, cilësitë po ashtu. S’mbetet gjë tjetër, veçse t’i gjenden pozicionet gjithësecilit për të fituar javë pas jave lojën e radhës të “shahut”.
Duhet përmendur fakti se në këtë derbi të kryeqytetit, pati më shumë tifozë se vitet e shkuara. Pikërisht lëvizjet e bëra në merkato, kanë rritur optimizmin tek ata. Siç e kanë cekur dhe analistët në panele të ndryshme, Partizani është një nga ekipet më të kompletuara në këtë sezon të Superiores. Pozicione të gjitha të dubluara. Formacion cilësor, por edhe stoli në të njëjtën linjë. A do të arrijë “kolonia vlonjate” këtë sezon futbollistik të rikthejë atë Partizan që të gjithë tifozët e presin? Koha do ta tregojë. /Retin Toka/