U lind në 15 shtator të vitit 1941, në qytetin e serenatave, në Korçë. Teodor Vaso, heroi i përfaqësueses shqiptare që do të mbahet mend gjatë për ndeshjen e vitit 1967, ku luajti për 30 minuta me këmbë të vrarë dhe të enjtur kundër Republikës Federale Gjermane.
Lojtari i madh do të kthehej në një figurë të njohur në futbollin shqiptar, pasi para prapavijës ishte i pakalueshëm. E nisi karrierën si atlet në vitin 1955 ndërsa më vonë u fut në futbolli me ekipin e Dinamos. Kaloi te Partizani, për të vijuar me 17 Nëntorin e në fund me Skënderbeun. Ishte titullar i padiskutueshëm i kombëtares shqiptare që kishte në krye trajnerin, të madhin Loro Boriçi. Me kuqezinjtë ka zhvilluar 8 ndeshje ndërkombëtare dhe 10 takime miqësore.
Pikërisht këto takime ndërkombëtare e bënë atë të njohur duke i nxjerrë në pah cilësitë që kishte. Në sfidën kundër Republikës Federale Gjermane, Teodori u shpall heroi i ndeshjes sepse luajti me këmbë të vrarë, por gjithashtu gjermanët u eliminuan duke mos shkuar në finalet e Botërorit.
Më vonë kuqezinjtë do të luanin me përfaqësuesen e Jugosllavisë, që u mundën me rezultatin 4-0. Në atë kohë në portën shqiptare ishin lënë dhjetë topa si për të treguar tanëve që do mposhteshin me atë rezultat. Ylli i asokohe, Xhaiçi, thuhej që do të shënonte katër gola. Por, me Vason në fushë, ai jo vetëm që nuk arriti të shënonte, por qëndroi në hije gjatë gjithë kohës duke u markuar nga “ylli” ynë në mënyrë përfekte.
E veçanta qëndron që në këto ndeshje ndërkombëtare, emri i Vasos ishte në protokoll si lojtar i Partizanit, ndërkohë që ishte pjesë e Skënderbeut të Korçës. Kjo për shkak se të kuqtë ishin atëherë një nga ekipet që luanin në arenën ndërkombëtare.
Sot Vaso nuk jeton më, por pasionin dhe dashurinë për futbollin e kishte shumë të madh deri në momentin që mbylli sytë. Ai ishte ndryshe nga bashkëmoshatarët e tij që mund të mbanin një bastun për të qëndruar në këmbë. Përkundrazi, në çdo vend që shikonte fëmijë të vegjël duke luajtur, ai ishte aty për t’i mësuar duke kujtuar sadopak rininë e tij.
Para 13 vitesh, ai u përzgjodh për një turne të zhvilluar në Greqi ku veteranët e Korçës luajtën me një skuadër të së njëjtës moshë. Pra, edhe në moshën 70-vjeçare, ai s’mund ta hiqte topin nga këmba, përkundrazi e shihte dhe e përdorte (sigurisht aq munddte) me shumë dashuri.
Edhe në futbollin shqiptar, Vaso ka dhënë një kontribut të çmuar, megjithatë nivelin më të lartë si futbollist e arriti në kohën kur ishte pjesë e Skënderbeut, gjithashtu pjesë e Kombëtares. Kjo falë shtypit të huaj, që sa herë pasqyronte takimet e kuqezinjve, emri i Teodorit ishte i pamundur për të mos u shkruar. Si mbrojtës apo si mesfushor para prapavijës, pak rëndësi kishte. Ai ishte kudo në fushë duke mos pyetur as për këmbët e tij, por për të vetmin qëllim: Paraqitjen dinjitoze të Kombëtares në arenën ndërkombëtare.
Sot Teodori nuk jeton më dhe redaksia newsport.al i shpreh ngushëllime familjarëve të tij! Prehu në paqe Legjendë! /Newsport.al/