
Tirana vazhdon të ketë probleme dhe është larg asaj skuadre që jemi mësuar të shikojmë në vitet e kaluara. Presidenti i klubit Refik Halili deklaroi disa ditë më parë se në ekip mund të afrohen donatorë të rinj për të ndihmuar ekipin me financat dhe për ta rikthyer klubin në majën e futbollit shqiptar.
Trajneri Mema është shprehur në konferenca se ka nevojë për merkato, por vetëm për lojtarë cilësor që të jenë të denjë për fanelën e Tiranës ose ndoshta dhe futbollistë që luajnë në Kombëtare.
Por kush mund të jenë disa nga lojtarët që mund t'i bënin punë Tiranës me rikthimet e tyre në fundin e karrierës? Duke parë shembullin e Isli Hidit që u rikthye në Superligë dhe vazhdon të bëjë paraqitje fantastike, janë të shumtë lojtarët që mund të kthehen për të luajtur sërish te Tirana.
I pari është Jahmir Hyka, aktualisht është pa skuadër, stërvitet me bardheblutë dhe është në pritje të një ekipi të ri. Një mundësi është dhe Tirana që do të bënte padyshim një nga goditjet më bujshme në merkato duke afruar një lojtar cilësor, i cili e njeh mjaft mirë peshën e fanelës. Ka luajtur me Tiranën në 43 ndeshje duke shënuar 6 gola dhe është një tifoz i kësaj skuadre me të cilën u bë i njohur në botën e futbollit.
Ansi Agolli i dalë nga akademia e Tiranës, tashmë 36-vjeç, në fundin e karrierës mund të ishte një tjetër përforcim i duhur. Eksperienca e tij do të ishte do të ishte një bonus i madh për skuadrën. Një lojtar që ka luajtur në Champions dhe Europa League është padyshim një vlerë e shtuar në ekip. Në Shqipëri ka luajtur për Tiranën, skuadër me të cilën u bë i njohur dhe tashmë në një moshë të madhe mund të mendojë ta mbyllë karrierën pikërisht aty ku e nisi, te Tirana.
Andi Lila edhe pse nuk është prodhimi i akademisë së Tiranës, mbrojtësi i Kombëtares e ka shprehur shumë dëshirën e tij për të luajtur sërish më 24 herë kampionët e vendit. Tashmë dhe ai në moshë 32-vjeçare mund të jetë një tjetër lojtar që një skuadër si Tirana në këto momente do t'i bënte shumë punë. Ka luajtur me bardheblutë dhe e njeh mjaft mirë rëndësinë e kësaj fanele. Ndoshta mbylljen e karrierës mund ta bëjë pikërisht të Tirana.
Sabjen Lilaj i transferuar në merkaton e verës të Gabala në Azerbaxhan, është një prodhim i shkollës së Tiranës duke luajtur për disa sezone me bardheblutë. Në Shqipëri ka fituar disa tituj kampion, por me skuadrën e Skënderbeut. Tashmë është në kulmin e karrierës duke fituar dhe një vend në Kombëtaren shqiptare dhe ndoshta një rikthim i tij te Tirana mund të ndodhë pas disa sezonesh. Pasi zor se një lojtar si Lilaj do të pranonte në këto momente të rikthehej sërish në kampionatin tonë.
Hamdi Salihi, një shkodran që tashmë dhe ai në fundin e karrierës aktivizohet në Ligën e dytë austriake. Është ende vendimtar me golat e tij. U rikthye në Shqipëri për të luajtur me Skënderbeun dhe arriti të fitonte dhe titullin kampion. Një bomber, që edhe pse tashmë në moshën 34-vjeçare do të bënte diferencën te Tirana. Është formuar si lojtar në Shkodër, por ka luajtur 52 ndeshje me fanelën bardheblu duke shënuar 42 gola. Mund të ishte dhe ai një përforcim ideal për majën e sulmit duke parë mangësitë në këtë repart. Një gjë e tillë vështir se mund të ndodhë, pasi lojtari u largua nga Shqipëria për të qëndruar pranë familjes së tij në Austri, por në futboll asnjëherë nuk i dihet. /Newsport.al/