Duhej të vinte 20-tetori i vitit 2004, kur në një familje “tironse” do të vinte në jetë një vogëlush i pagëzuar me emrin Kleidi. Ishte fëmija i tretë dhe gëzimi “i fundit” i familjes Hoxha. Në ditën kur lindi vetëm diçka ishte e sigurtë: Do të ishte tifoz i Tiranës, padyshim. Traditë familjare, i rritur mes një ambienti bardheblu, Kleidit dalëngadalë nisi t’i injektohej dashuria për futbollin.
Hapat e parë kishte nisur t’i hidhte dhe këmbët i ngatërroheshin shpesh… Vetëm kur dëgjonte të atin se do ta çonte në stadium, dukej sikur po parakalonte një zotëri i vërtetë në rreshtim ushtarak. Ishte shumë i vogël, aq sa nuk mund të shqiptonte si duhet fjalët. Sytë e tij qeshnin dhe zemra rrihte fort sa herë dëgjonte tek përmendej “Tirona” apo futbolli.
Me një vëlla dhe një motër, Kleidi ishte djali i vogël i familjes. Dëshira e babait ishte mjaft e madhe për të investuar që një ditë në stadium të bërtiste teksa topin e krosonte apo e shënonte i biri i tij. E kishte synuar që në fillim diçka të tillë. E nisi me djalin e madh, por ky i fundit preferoi të zgjidhte rrugën e dijes duke e lënë futbollin ëndërr në sirtar. Vajza me kohë kishte zgjedhur diçka krejt tjetër larg futbollit dhe radha ishte e Kleidit të vogël. “I treti, i vërteti…” Por ky me dy misione të vështira dhe të rëndësishme: “Duhet të shkëlqesh në shkollë që të shkosh larg në futboll”.
Në pamje të parë shumë e vështirë, por jo e paarritshme. Në moshën 10-vjeçare u vendos: “Kleid do të shkosh në stërvitje”, ishin fjalët e babait të tij. Fillimisht ai s’e besonte. Sepse kishte dëgjuar që ëndrrat mbesin të tilla gjithmonë. “Po, po do të shkosh në stërvitje”, vazhdoi më tej i ati. Fjalët e para dhe sytë e vegjël të mbushur me lot gëzimi ishin: “Me Tironën, o ba?” Babai i tij vuri buzën në gaz sepse dhe sigurisht u emocionua sepse kuptoi se si kishte arritur t’ia injektonte dashurinë për bardheblutë djalit të tij. “Do të shohim, fillimisht ta provojmë”. Këto fjalë ndezën një zjarr te vogëlushi që ishte gati të shkelmonte topin e parë në fushën që kishte ëndërruar ta shkelte gjithmonë. Papritur buzëqeshja i ngriu në fytyrë: “Por ama… Siç e kemi lënë ë? Shkollën prioritet”.
Shembujt janë të shumtë, por ky djalosh s’ka nevojë për të tillë. Fjalë-pak e punë shumë. I karakterizuar nga një qetësi e jashtëzakonshme, gjithmonë me “këmbë në tokë”. Edhe pse mjaft i vogël kishte mësuar që premtimet nuk duhet të jepen me fjalë, por duke i konkretizuar ato. Edhe kështu bëri. Nuk ia ktheu babait të tij në atë moment, por çeli një “dritare” të re në jetën e tij, plot dritë dhe vizion. Fillimisht u provua në disa pozicione nga trajneri Redi Jupi. Në fund shtatlartësia dhe pozicionimi i saktë në fushë e spostuan atë në qendër të mbrojtjes.
“Do të jesh një nga lojtarët më të mirë në Shqipëri, vetëm ul kokën dhe puno”, këto kanë qenë fjalët e para të trajnerëve të tij. Asnjëherë s’u mposht nga euforia, madje edhe kur ishte më i miri në fushë. Tip mjaft emocional, por me një vendosmëri të jashtëzakonshme. Kritikat kanë nisur ta forcojnë më shumë. Diçka duhet ta ndryshojë dhe ai e di më së miri. “S’duhet të kesh frikë nga gabimet. Po s’i bëre, s’do mësosh asnjëherë”, vazhdon babai i tij duke e këshilluar, i cili nuk i ndahet asnjë çast nga asnjë seancë stërvitore.
Fanelën e “Tironës” ende s’e ka provuar. E ka veshur vetëm si tifoz në shkallët e stadiumit. Sot është pjesë e skuadrës U-17 të Football Republic të drejtuar nga Redi Jupi. Titullar i padiskutueshëm, herë pas here kapiten, ish-mesfushori i njohur flet gjithmonë me superlativa për qendërmbrojtësin e vogël kryeqytetas. Të gjithë janë optimistë. Inteligjencën në fushë e ka të lindur. Detyra e tij është të rritet fizikisht. Dalëngadalë shkallët e tij po hapen dhe ai është gati t’i ngjisë, por… në asnjë moment nuk harron edhe të rrisë bagazhin e dijeve. Nuk e ka premtuar me fjalë. Është gati ta provojë me vepra. Dy synimet më të mëdha në jetë të këtij 15-vjeçari, që siç thonë, “Ta rrëmben zemrën vetëm me urtësinë e tij”, janë: Të bëjë krenar babain dhe familjarët e sigurisht një ditë t’i rrahë zemra fort duke mbrojtur ngjyrat e Tiranës. /Newsport.al/