Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

SPECIALE/ Grushtet e Devi MUKËS dhe të qepurat e ELIS BAKAJT, kur DINAMO e madhe sundonte kryeqytetin dhe linte me 8 lojtarë në fushë TIRANËN bardheblu

Shkruar nga NEWSPORT
SPECIALE/ Grushtet e Devi MUKËS dhe të qepurat e ELIS BAKAJT, kur

Kanë kaluar plot 9 vite, por data 25 janar i vitit 2010, vështirë se do të harrohet nga të gjithë sportdashësit shqiptarë. Tirana dhe Dinamo do të përballnin "brirët" në "Qemal Stafa", ndeshje e cila doli krejtësisht nga konotacioni sportiv. Grushte, gjak dhe protestë në fushë e në dhomat e zhveshjes nga lojtarët bardheblu.

Ora 20:00 dhe gjyqtari kryesor Bardhyl Pashaj fërshëllen startin e saj. Tirana zbriste në fushë me Blendi Nallbanin në portë, Abraham, Ahamtaj, Bici dhe Osmani në mbrojtje, Devolli, Lila, Muka dhe Sefa në mesfushë, ndërsa në sulm luanin Gjergj Muzaka me Sebino Plakun. Nga ana tjetër Dinamo e Shkëlqim Muçës luante me Elvis Kotorrin në portë, Delmonte, Malacarne, Muça dhe Pisha në mbrojtje, Allmuça, Bakaj, Diop, Sosa dhe Vila në mesfushë, ndërsa majën e sulmit e kryesonte Fatjon Sefa.

Takimi nis vrullshëm dhe me mjaft polemika. Duhej të vinte minuta e 7-të dhe skuadra e Tiranës sheh të mbetet me 10 lojtarë në fushë. Ditmar Bicaj ndëshkohet me të kuq dhe sfida merr krejt rrjedhë tjetër. Arbitrit Pashaj i del takimi nga kontrolli dhe tashmë ishin 22 futbollistët që duhet të vinin vetë drejtësi në fushë. Pjesa e parë mbyllet me fitoren minimale (1-0) të Tiranës, teksa Gjergj Muzaka shndërron në gol një 11-metërsh të dhënë nga gjyqtari Pashaj. Lojtarët futen në dhomat e zhveshjes mes kontestimesh të shumta. Pjesa e dytë nis me më shumë tension se e para. Në minutën e 64-të, Blendi Nallbani bën një ndërhyrje të rrezikshme jashtë zone. "Gardiani" ndëshkohet me karton të kuq, pas protestave ndaj arbitrit kryesor. Tashmë s'luhej më në fushë. Nervat kishin shkatërruar jo vetëm futbollistët, por edhe tifozët e pranishëm në legjendarin "Qemal Stafa". Tirana ishte me 9 lojtarë, ndërsa Dinamo ende s'ishte cunguar. Katër minuta pas kartonit të Nallbanit, Lucas Malacarne çon peshë tifozët dinamovitë duke arritur të shënojë golin e barazimit.

Ndërkohë Elis Bakaj dhe Devi Muka ishin përplasur disa herë në fushën e blertë. Muka rrezikonte kartonin e dytë të verdhë, ndërsa Bakaj tentonte të provokonte disa herë mesfushorin e njohur për t'ia arritur që të linte Tiranën me 8 lojtarë. Sulmuesi kryeqytetas, që kishte dalë nga skuadra e Partizanit, ishte ndër më të urryerit për tifozët bardheblu. Me karakterin e vështirë në fushën e blertë, Bakaj arrin t'ia çojë nervat kundërshtarit në piedestal. Si për ironi të fatit për bardheblutë, në minutën e 88-të, shtatshkurtri arrin të heshtë "Qemal Stafën". Sulmuesi kryeqytetas shënon dhe vulos rezultatin në 2-1. Aty mbyllet kapitulli i sfidës dhe grushtet ishin ato që pasuan minutat pasardhëse.

Devi Muka nuk përmbahet më, por i gjuan në grusht në fytyrë Elis Bakajt duke e gjakosur mes fushës së "Qemal Stafës". Ndërhyn menjëherë policia, por ishte e kotë. Lojtarët ishin shndërruar në "gladiatorë" dhe secili dukej sikur kërkonte të ruante nderin e skuadrës së tij.

Në fund, futet ambulanca në fushë për të transportuar në spital Elis Bakajn për të marrë trajtim më të specilizuar. Ndërkohë gjyqtari Pashaj, ndëshkon me të kuq dy lojtarët. Tirana mbetet në fushë me 8 lojtarë, ndërsa Dinamo kishte ende 10 futbollistë. Por, s'kishte më kohë...

Pas fërshëllimes së fundit, drejtuesit shpërthyen në akuza. Madje u tha që do kishte një padi në Prokurorinë e Tiranës në drejtim të Bardhyl Pashajt. Nuk mund të flitej më për futboll, por për një "luftë" brenda një katërkëndëshi të blertë. Shpirti i garës ishte ai që dominonte dhe tifozët në shkallët e stadiumit besonin ende te futbolli "bio".

Sot, 9 vite pas kësaj ngjarje sa dramatike, aq dhe emocionuese gjërat kanë ndryshuar shumë. Elis Bakaj vijon të shkëlqejë në futboll, teksa luan në Bjellorusi. Ndërkohë "vrastari" Devi Muka e ka lënë futbollin e luajtur, por vijon të shërbejë pranë klubit bardheblu në instanca drejtuese.

Sa shumë histori, sa shumë emocione, sa shumë që mungon kjo Dinamo në Superligë. Pavarësisht gjakut në fushë, pavarësisht tensioneve dhe akuzave, ai lloj futbolli vijon të mbetet ende në kujtimet e gjithë sportdashësve shqiptarë. Ishte koha e këngëve, ishin vitet kur kryeqyteti dominonte futbollin shqiptar... /Retin TOKA/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga