
Tirana-Partizani zë vend si rivaliteti më i ashpër dhe më drithërues në futbollin shqiptar. Me rikthimin e të kuqve në Kategorinë Superiore në vitin 2013, futbolli i kryeqytetit përfaqësohet në skenën më të lartë me përplasjet midis ngjyrave bardheblu dhe të kuqe.
Pavarësisht se është njohur nga të gjithë si derbi më i fortë i futbollit tonë, gati një dekadë më parë një tjetër ekip legjendar i kryeqytetit kishte zënë vendin e Partizanit si armiku më i përbetuar i 24-herë kampionëve të Shqipërisë; Dinamo.
Një arsye e fortë se përse për një kohë të gjatë Tirana-Dinamo linte në hije duelin Tirana-Partizani lidhet fort me ecurinë e suksseshme të "Bluve" në mijëvjeҫarin e ri; suksesi i garantuar falë 3 kampionateve 2002, 2007 dhe 2010, ku i paharruar mbetet triumfi historik i Dinamos ndaj Tiranës në 2002, tituli i parë pas 12 vitesh "errësirë".
Gjithmonë përplasjet midis tyre i kishin të gjitha të dyja anët e medaljes: ego, adrenalinë, energji, eufori, urrejtje, nerva dhe dhunë.
Por, viti 2011 shënon fillimin e fundit të dominimit të 3 klubeve të kryeqytetit në Kategorinë Superiore, pasi Skënderbeu dhe Kukësi arritën të shkruanin emrin si kampionët e rinj të futbollit shqiptar.
Edicioni i 72-ë i Superligës shënoi një nga periudhat më kritike të të dy ekipeve të Dinamos dhe Tiranës. Bardheblutë e mbyllin sezonin e rregullt me 44 pikë në vendin e pestë, me bilanc aspak të mirë: 11 fitore, 11 barazime dhe 11 humbje. Por "mallkimi" kishte prekur dhe "Blutë" që mes shumë peripecive shmangën tragjedinë e rënies nga Superliga me bilanc katastrofal (10 fitore, 9 barazime dhe 14 humbje, total 39 pikë) dhe një fitore në fazën play-off ndaj Besëlidhjes. Një vit më vonë, Dinamo u dorëzua përfundimisht duke rënë në "humnerë".
Derbi i fundit me ngjyrat bardh dhe blu, ku e kuqja ishte harruar u luajt në 22 maj 2011 në stadiumin e Durrësit "Niko Dovana". Ironikisht, dy ekipet më të arrira të Shqipërisë luajnë një finale për të mos lenë shenjën e turpit. Tirana ka mundësinë më të mirë të arrijë Europa League-ën nëse ngre trofeun e Kupës së Shqipërisë, kurse Dinamo me një ndeshje mund të kalojë nga "ferri" në "parajsë", pasi Kupa do të bënte të harrohej i gjithë sezoni i dreqosur dhe pjesëmarrja në Europë do ta ndihmonte të largohej nga problemet e brendshme.
Paradokset e këtij takimi janë të habitshme, duke nisur që nga pankinae të dyja ekipeve; serbi Mišo Krstičević e drejtoi ekipin bardheblu për 4 muaj, po aq sa Artan Mërgjyshi i Dinamos, i thirrur për të mbyllur "plagët" e sezonit.
Në të dyja kampet luajnë emra që në ato vite dhe më vonë veshën jo vetëm fanelat e kryeqytetit, por dhe të Shqipërisë (Jahmir Hyka, Bekim Balaj, Andi Lila,Sabien Lilaj u aktivizuan me Tiranën, ndërsa Emiliano Vila mbronte Dinamon).
Vetëm 3000 veta kishin vendosur të udhëtonin në Durrës për të ndjekur finalen-derbi, edhe pse "Niko Dovana" ofronte mundësi për afro 7000 tifozë të tjerë të mos humbisnin supersfidën.
Në formacionin e Dinamos të bën përshtypje fakti që porta mbrohej nga Alban Hoxha, sot kapiten dhe lider i Partizanit, i identifikuar si "i kuq". 23-vjeҫ në atë vit, Hoxha mori dorezat e Elvis Kotorrit, duke kryer në një farë mënyre sezonin e vërtetë debutues në karrierën profesioniste duke u aktivizuar në 33 ndeshje. Çudirat nuk ndalen me kaq. Asion Daja, pjesë e rëndësishme e Dinamos, pas vitit 2012 luan edhe për Partizanin, ndërsa sot mbron Tiranën. Në krahun tjetër të fushës, Hoxha sheh Ilion Likën. Pas 8 viteve si "gardian i palëkundur" i Dinamos, ku ishte pjesë e gardës që fitoi titullin epik në 2002 ndaj armiqve të Tiranës, në 2010 dhe më tej Lika u kthye në përfaqësuesin e fortë të Tiranës.
Megjithë numrin e paktë të tifozëve, megjithë sezonin e ҫuar dëm, Tirana dhe Dinamo ishin të përqëndruar vetëm te pasditja e 22 majit.
Ndryshe nga sot, kur ekipet e Superiores tentojnë të ruhen nga gabimet dhe u besojnë llogarive, superndeshja e asaj dite tregoi një tjetër panoramë të futbollit shqiptar ku ekipet mendonin vetëm të "bombardonin" portat dhe të argëtonin publikun. Për më shumë se 2 orë, të dy rivalët e përbetuar nuk kursyen asnjë energji pa e shpenzuar në fushë.
Finalja i besohet arbitrit Lorenc Jeminit. Me lojën e vrullshme dhe aksionet e njëpasnjëshme, Tirana "harron" se duhet të mbrohet dhe lejon ish-kapitentin e pandarë edhe sot nga Dinamo Igli Allmuҫa që në minutën e 19-ë të marrë saktë krosimin e gjatë dhe "qëndis" asistin për sulmuesin serb Mladen Brkic, i cili hap ndeshjen. Shpërqëndrimin Tirana e paguan me disavantazh.
Në këtë sfidë, i riu Alban Hoxha duhet të bëjë shumë punë për të mos lejuar Pero Pejicin të dërgojë topin në rrjetë. Pas 45 minutave, Dinamo përmbush vetëm gjysmën e misionit. Ndërsa në pjesën e dytë, loja luhet në të njëtin tonalitet të lartë si në pjesën e parë.
Dinamo nuk arrin të realizojë golin e sigurisë dhe nga kjo situatë, përfiton Andi Lila që kroson saktë për shtatlartin Pero Pejic që ndëshkon Alban Hoxhën, edhe pse bëri dy pritje vendimtare para pësimit të golit.
Tirana inkuadron si zëvendësues Gentian Muҫën, Bekim Balajn dhe Elvis Sinën, kurse Dinamo u beson Asion Dajës dhe Roland Peqinit.
Fituesi duhet të zgjidhet në 30 minuta shtesë. Kartonat e verdhë "skuqen" teksa në minutën e 105-ë Tefik Osmani i Tiranës lë ndeshjen pasi merr kartonin e dytë të verdhë. 12 minuta më vonë atë e ndjek në tunelin e "Niko Dovanës" Roland Peqini, i cili nuk e mbyll dot ndeshjen në fushë, edhe pse duhej të duronte vetëm 3 minuta.
Nuk ka fitues as pas gjysmë ore tjetër. Përgjegjësia bie mbi portierët Hoxha dhe Lika. Falë eksperiencës, Lika pret 3 penallti të Dinamos, kurse Hoxha pret një dhe tjetra shkon jashtë.
Ilion Lika i vë kapak dilemës se kush do të ngrejë Kupën e Shqipërisë duke i frenuar penalltinë Opokusë. Tirana ia del të shpëtojë sezonin duke e mbyllur me trofe dhe triumf krenarie ndaj Dinamos. Ekipi ngre portierin Lika duke i njohur meritën e suksesit.
Te kampi i Dinamos zhgënjimi është i madh pasi Kupa ka me vete dhe "biletën" drejt Europës, por që nuk e fitoi dot. 4 ditë më vonë, "Blutë" duhet të shqetësohen për sezonin e ri dhe shmangien e "tragjedisë". Në Kavajë, pretendentët e Besëlidhjes për të siguruar një vend në Superiore rezultojnë mjaft të lehtë për t'u kapërdirë nga Dinamo teksa shpartallohen me rezultatin 4-1.
Të dy ekipet përballen dhe dy herë të tjera në sezonin pasardhës me nga një fitore secila, (e para 1-0 për Tiranën, e dyta më 25 prill të 2012 Dinamo luan për herë të fundit ndaj Tiranës dhe merr vete një fitore të paharrueshme 3-2).
Sot, sa herë që përmendet derbi Tirana-Partizani shihet se një "karrige ka mbetur bosh". Nëse dikur kryeqyteti kishte në vetvete 3 derbi, sot ka mbetur vetëm një. Emocionet dhe kureshtja do të rriteshin edhe më tepër, nëse "Blutë" do t'i jepnin fund kalvarit të gjatë vuajtjeve prej 7 vitesh për të marrë atë ҫfarë dikur e humbën; vendin mes më të mirëve të futbollit shqiptar.
Ajo finale e 22 majit të 2011 në "Niko Dovana" sikur paracaktoi fatin e keq të dy prej klubeve simbol të futbollit shqiptar. Tirana e përjetoi rënien në Kategorinë e Parë në 2017 dhe pas një gjysmë sezoni kaotik, po shëron plagët e veta dhe po shton marshet të arrijë të tjerët. Të gjithë e presin momentin kur një tjetër derbi do të ringjallet sërish nga e kaluara në Kategorinë Superiore./NEWSPORT/.