
Operacioni i Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në kuadër të dosjes "5D Konstruksion", ka vënë nën akuzë dhe Albano Jankun. Përgjegjësi për Sektorin e Urbanizimit në Bashkinë e Tiranës akuzohet për Shkeljen e Barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, e kryer në bashkëpunim. Atij i është komunikuar masa e sigurisë "Detyrim Paraqitje".
Referuar njoftimit zyrtar të SPAK, thuhej: "Caktimin ndaj personit nën hetim A.J. të masës së sigurimit “detyrimi për tu paraqitur në policinë gjyqësore”, e parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale, i dyshuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, të kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga neni 258 dhe 25 i Kodit Penal, sipas përmbajtjes së kësaj dispozite para ndryshimeve të kryera me ligjin nr.43/2021, datë 23.03.2021".
Albano Janku është një figurë e njohur jo vetëm në politikë, ku kandidoi për deputet në vitin 2013 nën siglën e Frymës së Re Demokratike, por edhe ish vëzhgues i FIFA-s në futbollin shqiptar. Tashmë është një person nën hetim nga SPAK ku i është komunikuar dhe akuza zyrtare.