Skuadra e Skënderbeut është në pritje të përgjigjesh nga Gjykata e Arbitrazhit Sportiv ku do të vendoset përfundimisht fati i korçarëve: Pjesëmarrje ose jo në Europë si dhe falja e dënimit prej 1 milionë eurosh gjobë. Ende s'ka asnjë zhvillim në kampin bardhekuq dhe është pikërisht CAS-i që po mban pezull korçarët. Megjithatë drejtuesit i kanë piketat e qarta.
Presidenti Ardian Takaj ka takuar Gjergj Muzakën. Në një foto të siguruar nga newsport.al shihen kreu i klubit korçar dhe mesfushori kryeqytetas në kompleksin "Tropikal" në Durrës. Krahas miqësisë që kanë së bashku, me siguri duhet të kenë folur dhe për të ardhmen e lojtarit. Por, kjo pritet të mësohet në ditët në vijim pasi është e qartë që Muzaka është në planet e drejtuesve.
