
Skënderbeu ka pësuar një humbje zhgënjyese në transfertën e Gjirokastrës, duke koleksionuar humbjen e tretë radhazi. Kjo situatë aspak normale për korçarët, nuk është "kapërdirë" dot nga drejtuesit që kanë zhvilluar një mbledhje dhe analizë urgjente me skuadrën. Në kompleksin ku ekipi do të qëndrojë grumbulluar për transfertën ndaj Kukësit, tonet nuk kanë qenë aspak miqësore, duke kërcënuar edhe me masa konkrete.
Skënderbeu nuk është më ai i disa viteve më parë. Dënimi nga ana e UEFA-s dhe ndryshimet e shumë lojtarëve kanë sjellë një situatë të papranueshme në juglindje. Të mësuar me sukseset radhazi, tifozët dhe drejtuesit kanë apeluar për ndërgjegjësim te titullarët, për t'u rikthyer të frikshëm si dikur. Në analizën e pas humbjes së fundit, presidenti Takaj duket të ketë ngritur zërin edhe për masa konkrete, megjithëse ende nuk bëhet asgjë zyrtare. Klubi kërkon inpenjimin e duhur nga "garda e vjetër", duke kthyer lojën e mirë te Skënderbeu. Pas 16 javësh të luajtura, korçarët e shohin veten në zonën play-off me 20 pikë të grumbulluara.