
Pavarësisht se janë dënuar nga UEFA dhe kanë humbur një pjesë të rëndësishme të boshtit të ekipit, Skënderbeu premton se do të jetë sërish në nivele të larta. Nuk janë fjalë, por rezultate konkrete. Kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë fituar të gjitha ndeshjet deri më tani.
Pas fitores së padiskutueshme ndaj Kastriotit, bardhekuqtë presin në shtëpi Laçin. Megjithatë mesfushori Bruno Dita shprehet optimist për ecurinë e Skënderbeut këtë sezon duke vlerësuar paraqitjet e bëra deri më tani. Për "RTSH Sport" ai thekson se performanca e ekipit nuk ka ndryshuar aspak nga ajo e sezonit të kaluar.
"Jemi me ritmin e vjetshëm. Në ndeshjet miqësore kemi patur probleme, por në kampionat jemi zhbllokuar. Për sa i përket rolit të shkatërruesit nuk e kam problem kam luajtur dhe më parë. Nuk është pozicioni im natyral, por do e bëj në mnëyrën e duhur. Laçi? Çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. E vlerësojmë maksimalisht kundërshtarin", përfundon 25-vjeçari Dita.