
Prej katër ndeshjesh ishte detyruar të qëndronte në tribunë për shkak dëmtimesh, ndërsa dje Theophilus Solomon u bë sërish protagonist. Sulmuesi nigerian i trembi të gjithë në stërvitje pasi një top e goditi në gjoks. Për pak sekonda, 24-vjeçari qëndroi pa frymë duke marrë menjëherë ndihmën e nevojshme mjekësore. Kaq ka mjaftuar dhe seanca u ndërpre për disa minuta.
Gjendja fillimisht ishte alarmante pasi lojtari nuk po reagonte, por pas ndërhyrjes së stafit mjekësor, ai erdhi në vete. E kishte të pamundur të vijonte stërvitjen pasi nuk ndihej mirë, ndaj u largua duke mos e përfunduar seancën e djeshme. Fati i keq po e ndjek nigerianin këtë vit, i cili pritej të mbante peshën e sulmit, por një gjë e tillë deri më tani s'ka ndodhur.