
Shoqata Intelektualët e Rinj Shpresë (IRSH) me qendër në Shkodër del në konkluzionin se që nga 2017 borxhi i klubit të futbollit Vllaznia është thelluar me përarfërsisht 2 miliardë lekë taksa publike, raporton newsport.al.
Lajmi është bërë publik nga një prej punonjësve të IRSH gjatë një debati në rrjetet sociale në përfshirjen e biznesmenit Alban Xhaferri si sponsor pranë ekipit të futbollit.
Në këto momente që Vllaznia gjendet në vendin e tetë në superligën shqiptare, rihapet edhe njëherë historia e borxheve të klubit të vllaznisë.
Saimir Beqiraga i IRSH thotë se duhet bërë diferenca mes KF Vllaznia dhe Vllaznia sh.a, "që janë dy gjëra të ndryshme dhe nuk I shërbejnë të njëjtit qëllim".
"Që në 2017, borxhi është thelluar me përafërsisht 2 miliardë lekë taksa publike. Premtimi për privatizim zvarritet me të gjitha forcat dhe mënyrat saqë edhe kur u afrua një biznesmen për ta blerë e vendosën në rolin e sponsorizuesit dhe asgjë nuk ndryshoi. Personalisht jam I mahnitur nga aftësia e pushtetit local për të abuzuar me Vllaznia sh.a" shkruan Beqiraga në komentet e veta.
"IRSH ka bërë detyrën e vet duke zbuluar dhe denoncuar publikisht të gjitha abuzimet që kanë ndodhur në sh.a, duke përmbushur me sukses misionin e saj. Vijimësia I takon instancave dhe taksapaguesve shkodran" shkruan ai.
Ka qenë IRSH që ka shtyrë procesin drejt privatizimit. Pak kohë më parë në bashkinë e Shkodrës, u nënshkrua marrëveshja e sponsorizimit për klubin e futbollit Vllaznia mes Bashkisë dhe Alban Xhaferrit, një biznesmeni shkodran që prej vitesh sponsorizon klubin e basketbollit Vllaznia, dhe që tani po drejtohet drejt ekipit të futbollit shkodran.