
Shqipëria do të luajë kundër Izraelit në kuadër të eliminatoreve të Botërorit "Rusi 2018". Kjo sfidë është tejet delikate për sa i përket pikëve, pasi në këtë ndeshje do të vendoset fati i kuqezinjve tanë për rrugëtimin drejt Rusisë. Takimi ishte përcaktuar të luhej në Shkodër, por për shkak të frikës nga terrorizmi, kjo ndeshje u zhvendos në "Elbasan Arena".
Ditën e sotme mësohet se shërbimi informativ shtetëror (SHISH) është angazhuar maksimalisht për këtë ndeshje, teksa po bashkëpunon me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe drejtorinë e anti-terrorit në Policinë e Shtetit. Sipas asaj që raporton "TV Klan", shumë numra telefonash janë vënë në përgjim dhe gjithashtu disa persona po mbahen nën vëzhgim.
Ndeshja ndërmjet Shqipërisë dhe Izraelit do të luhet në datën 12 nëntor, në orën 20:45, në stadiumin "Elbasan Arena".