Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

Shuhet AGIM BULKU/ 7-ta e artë e futbollit durrsak, ‘kolosi’ që shkëlqeu me fanellë dhe kollare

Shkruar nga NEWSPORT

Nga BUJAR QESJA

Lajmet nga Bolonja vijnë të trishta. Në orën 10 e 45 minuta, në të shtunën e 18 nëntorit 2023, nga klinikat e njohura të Bolonjës, sos frymën e funndit Agim Bulku. Vuajti shumë Agimi ynë. Mjekët italianë prej një muaji po e mbanin në intubim itensiv, duke i dhënë oksigjenin e domosdoshëm. Prej katër javësh, Agim Bulku nuk doli dot nga komo e thellë dhe e pashmangshme. Masë e huaj, e rrezikshme e kishte goditur në pankreas para dy vitesh. Operacioni doli me sukses, ndonëse iu nënshtrua terapisë itensive. Janë bërë mbi 100 kimio terapi për të stabilizuar gjendjen.

Agim Bulku e donte jetën dhe besoi shumë tek mbijetesa. Kurajo, këmbëngulja, bindja për ta kaluar të ligën, është për t’u marrë shembull. Ndonëse me të keqen mbi krye, siç thotë urtësia, Bulku nuk u shkëput nga Durrësi i tij që e donte aq shumë. Ai kishte krijuar në këtë qytet, personalitet të padiskutueshëm. Ka shumë merita ky njeri i rrallë dhe i përkushtuar i sporteve. Luan fillimisht me fëmijët e “Erzenit”, pasi vendlindja është zona e njohur e Sallmones, e nxitur për dëshirën sportive të banorëve të saj. Më pas shkon të studiojë, në shkollën e mesme të mjeshtrisë “Loro Boriçi” në Tiranë dhe mbaroi me rezultate të mira studimet e larta në Universitetin e Sporteve.

Talenti i Agim Bulkut, ra shpejt në vëmëndje të specialistëve. Ai i takon brezit të famshëm që bëri histori në futbollin shqiptar, nëpërmjet asaj “Shkëndije” që u kthye në një “zjarr” për zhvillimin e futbollit. Agim Bulku rreshtohet përkrah talenteve të dorës së parë si Zëri, Gurma, Hoxha, Gjoni, Ajazi, Ballço, Çurri, Sulos, Hushit etj. duke dhënë ndihmesë të çmuar në përmirësimin e cilësisë së futbollit. Brezi i “Shkëndijës” së viteve 70-të nën drejtimin e Zyber Konçit, mbetet faqja më pikante e krenarisë drejt një futbolli modern dhe përfaqësues vlerash. Këtu emri i Agim Bulkut, është me gërma të arta.

“Lokomotiva” e Durrësit, mezi e priste këtë futbollist të talentuar dhe menjëherë e rradhiti në formacionin kryesor. Monopolizoi numurin 7 dhe e bëri të bujshme. Luajti krahas Leshtenit, Kapidanit, Litos, Janit, Himës, Filjarit, Çelës, Maxhunit, Likmetës, Dollakut etj. duke krijuar personalitetin e rrallë të kuadrit dhe futbollistit cilësor.

Krahas angazhimit si futbollist, Agim Bulku nuk i ndau shërbimet në ndihmë të këtij sporti aq popullor. U caktua me detyrën e trajnerit për të rritur, me kolegun e mikun e ngushtë Vladimir Ajazi. Më pas mori drejtimin e ekipit të të rinjve të “Lokomotivës”. Emri i tij u bë shumë i njohur, falë aftësive dhe cilësive organizative dhe komunikuese.

Caktohet me detyrën e lartë të Kryetarit të Komitetit të Kulturës Fizike dhe Sporteve për Rrethin e Durrësit dhe njëkohësisht zgjidhet, anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit. Bulku kthehet në figurë qendrore të sporteve, duke dhënë ndihmesë të jashtëzakonshme në zhvillimin jo vetëm të futbollit, por të të gjitha degëve të sporteve.

Ndryshimi i sistemit, nuk e kapi të papërgatitur këtë kuadër të aftë të fizkuturës dhe sporteve. Falë fantazisë dhe vizionit që kishte për ardhmërinë e futbollit në kushtet e ekonomisë së tregut, Agim Bulku krijoi në vitin 1994 të parën Shoqatë të Futbollit për fëmijë jo vetëm në Durrës, por më gjërë. Dhe e drejtoi me shumë përkushtim dhe aftësi “Tropikalin” e tij, duke korrur suksese si në veprimtaritë lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare.

Deyrat e ngarkuara në lëmin jo publik por privat, nuk e ndanë nga përkushtimet si kuadër i sprovuar në sa e sa sfida. Emërohet drejtor i shkollës së mesme sportive “Bernardina Qerraxhia” në Durrës, e kështu emri i tij lartësohet më shumë. Vizioni bashkëkohor i Agimit për sportet, u manifestua edhe në krijimin e familjes. Bashkëshortja e Bulkut, që nuk iu nda deri në minutat e fundit të jetës Çeljeta Maçi, ishte një gjimnaste dhe atlete e dorës së parë.

Ajo u bë edhe trajneria e vajzës Vilma Bulku, nga atletet më të spikatura shqiptare në garat e shkurtëra. Djali i familjes Bulku Geraldo, u bë anëtar i ekipit tëe futbollit “Shpresa” dhe pas viteve 90-të përqendrohet në Bolonja. Bolonja për mëse 30 vite, u bë banesa e përhershme e familjes së Agim Bulkut, duke patur reputacionin jo vetëm në aktivitete biznesi por edhe në atë sportive.

Është vlerësuar “Mirënjohja i Qytetit të Durrësit”. Përfundoi me arritje edhe kursin e shkollës së famshme italiane të futbollit Konverciano.

Në prill të vitit 2024, Agim Bulku do të mbushte 73 vjeç. Kulmi i pjekurisë për të dhënë edhe më shumë, për t’iu ndodhur më pranë Vilmës dhe Geraldos, për të kaluar angazhime aktive të tjera me Çeljetën dhe për të dhënë atë që mundej vjen edhe kjo fatkeqësi e madhe. Agim Bulku është personalitet i sporteve, i fushës së inteligjencës sportive dhe qytetare. Durrësi dhe jo vetëm, humbin një figurë të çmuar, që është lidhur ngushtësisht me historinë e zhvillimit të futbollit dhe sporteve në Durrës.

Me Agimin Bulkun na lidhën shumë gjëra, pasi edhe detyra ime si gazetar i hershëm i letrave lidhej me sportet. Ai ishte model dhe këtë e shpreh pa më të voglin hezitim, të këmbënguljes për të realizuar detyrat që merrte përsipër për ti kryer. Me punën e tij tek shoqata “Tropikal”, ka ndikuar në aftësimin e shumë futbollistëve të rinj, të cilët më pas kanë patur karrierë të spikatur. Bulku kishte rreth të gjërë miqësor dhe bashkëpunonte aktivisht me organizma vendore, qendrore dhe të huaja. Ishte përfaqësuesi më i justifikuar i interesave të dashamirësve të sportit.

Do të mbetet e paharruar në jetën time dhe të familjes, kur me 9 nëntor 2004, teksa po luftoja për jetën pasi në Bolonja kreva operacionin delikat të ndërhyrjes në zemër, Agim Bulku dhe pjestarë të tjerë të familjes Çeljeta, Geraldo dhe Vilma ishin pranë meje. Lot më dalin pa ndërprerë, kur kujtoj këtë humbje të rëndë të ditës së sotme dhe atë moment delikat të jetës, kur ky mik i rrallë nuk mu nda.

Vinte shpesh në Durrës. Para se të sëmundja ta përfshinte plotësisht, ai u ndodh në Durrës. Kishte dashuri të pakufishme për këtë qytet. I dha gjithçka të mirë që kishte dhe nuk i humbi lidhjet me durrsakët, të cilët e respektonin beniaminin e tyre.

Me humbjen e Agim Bulkut, Durrësi nuk ka më, nga përfaqësuesit më të spikatur në fushën e sporteve. Durrsakëve do ti mungojë idhulli i tyre në fushën e inteligjencës, kuadrit drejtues dhe personalitetit vizionar të zhvillimit.

Ngushëllime më të ndjeshme Çeljetës, Geraldos, Vilmës, të afërmëve dhe të të gjithë miqëve dhe të njohurve, për largimin nga jeta të Agim Bulkut. Emri dhe puna e tij, nuk kanë gjasa të harrohen, por do të kujtohen së bashku me historinë e futbollit dhe të sporteve në Durrës.

Lamtumirë shoku dhe miku ynë Agim Bulku!

 

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga