365 ditë të mbushura plot pasion sportiv duke përmbyllur një vit kalendarik 2023 mjaft dinamik për gjithë shqiptarët. Sikurse çdo fundvit, redaksia Newsport.al bëri sondazhin për Personazhin e Vitit 2023 duke përzgjedhur të gjithë ata, që në një mënyrë ose tjetër kanë lënë gjurmë në sportin shqiptar, ku fituese doli volejbollistja Anxhela Çoba, që luan për fanelën e kombëtares së Italisë.
Gara ka qenë e fortë deri në orët e fundit, teksa Gersi Troka ishte ai që kryesoi për ditë me radhë duke qenë në vend të parë. Kampioni i notit për personat me aftësi të veçanta trumbetoi me të madhe pjesëmarrjen e tij në këtë sondazh, duke gjetur mbështetjen edhe të personave publikë siç është Landi Hysi.
Mirëpo, në momentin e fundit pati një shkëputje të Anxhela Çobës, e cila nga Italia siç duket vuri në lëvizje të gjithë miqtë e vet duke arritur të shpallet Personazhi i Vitit 2023 në Newsport.al. Volejbollistja shqiptare mori 33.07 përqind të votave, ndërsa Gersi Troka 31.51 përqind të votave.
Përkatësisht Çoba grumbulloi 1908 vota, ndërsa Troka 1818 vota. Ndërkohë në vend të tretë u rendit trajneri i mrekullueshëm i kombëtares, Sylvinho. Ky i fundit arriti të marrë 8.41 përqind të votave. Newsport.al kishte përzgjedhur 14 personazhe, ndërsa renditja e tyre vijon si më poshtë në bazë të përqindjes së votave të marra:
1- Anxhela Çoba; 2- Gersi Troka; 3- Sylvinho Campos
4- Kreshnik Leka; 5- Jasir Asani; 6- Raphael Dwamena
7- Gazment Demi; 8- Florent Hasani; 9- Armand Duka
10- Luiza Gega; 11- Ilir Daja; 12- Zelimhan Abakarov
13- Eklent Kaçi, 14- Kler Çako
[gallery size="medium" ids="717438,717436,717437"]
Ndërkohë, redaksia Newsport.al kërkon të sqarojë dhe sigurojë të gjithë ata që kanë dyshime për vërtetësinë e këtij sondazhi, se skuadra jonë e IT-së ka verifikuar të gjithë votuesit. Secili ka pasur mundësinë të shprehë pëlqimin e tyre vetëm një herë, pasi një IP ishte e barabartë me një votë.
Stafi i redaksisë së Newsport.al ju uron të gjithëve gëzuar Vitin e Ri dhe sa më shumë suksese në 2024-tën për të gjithë ju!