
Është hedhur shorti për grupet e Euro 2024. Kombëtarja shqiptare ka njohur kundërshtarët me të cilët do të përballet në Europianin e Gjermanisë. E klasifikuar në Grupin B, kuqezinjtë do të luajnë përballë Spanjës, Kroacisë dhe Italisë.
Pas këtij shorti ka reaguar në profilin e tij zyrtar në rrjetet sociale edhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armand Duka. Ai shprehet shumë optimist dhe thotë që në Gjermani nuk do të shkojmë si turistë.
“Spanja , Italia , e Kroacia do të jenë kundërshtarët e Kombëtares sonë kuqezi në finalet e Kampionatit Europian ‘‘Gjermani 2024“. Është një grup shumë i bukur dhe i fortë njëkohësisht. Por futbolli është plot surpriza. Jam i bindur që Shqipëria do t’i luajë ndeshjet si e barabartë ndaj të tre rivalëve.
Respekt për Spanjën, Italinë e Kroacinë. Por pavarësisht eksperiencës së tyre në finalet e këtj kompeticioni, ne nuk do të shkojmë si turistë në Gjermani. Do të shkojmë të luajmë futboll ⚽️ dhe të provojmë të gjitha mundësitë tona. Ne kemi bërë një sezon të mrekullueshëm dhe jam i bindur që Shqipëria do të bëjë një paraqitje të jashtëzakonshme edhe në Gjermani vitin e ardhshëm.
Forca Shqipëri. Je skuadra më e bukur në botë! ”, shkruan Armand Duka.