Ka 18 tituj kampionë dhe 15 Kupa të Shqipërisë mbi supe në historinë e saj 66-vjeçare, ndërsa prej 4 sezonesh radhazi ndodhet në Kategorinë e Parë. Trofeu i fundit është fituar në sezonin 2009-2010, me president Besnik Sulajn, ndërsa dy vite më pas ky ekip e pa veten në një kategori më poshtë.
Prej disa vitesh është edhe një ndër ekipet më të dobët të Kategorisë së Parë, por që në fund të sezonit të sapombyllur u trumpetua me të madhe se ardhja e Luçiano Moxhit do të ngrinte këtë skuadër dhe do të vinte një tjetër epokë, për ta kthyer në lavdinë e dikurshme.
Ditët kalojnë dhe çdo gjë mbetet në kuadrin e fjalëve dhe dëshira për ta rikthyer Dinamon mes më të mirave, tashmë do të pluhuroset në sirtarët e drejtuesve dhe në ëndrrat e tifozëve. Madje, mund të ndodhë që ky ekip të shkrihet.
Nuk përjashtohen mundësitë që blutë të mos regjistrohen për sezonin e ardhshëm në Superiore, pasi drejtuesit nuk kanë më dëshirën e dikurshme për të investuar në skuadër. Kjo është parë edhe në vitet e fundit, ku fondet kanë ardhur nga baballarët e futbollistëve, të cilët kanë ushqyer me para këtë ekip, ndërsa viti i ardhshëm mund të jetë shumë ndryshe.
Sipas burimeve pranë presidencës blu, bëhet me dije se në rast se klubi nuk do të kthehet në ambiente, në shtator ata do ta lënë përfundimisht skuadrën. Për momentin askush nuk është interesuar ta blejë klubin legjendar, duke qenë se investimi në sport është shumë i vështirë në Shqipëri, pasi të ardhurat nuk mund të fitohen ashtu siç shpenzohen. Ndaj, fjalët e dala nëpër tavolinat e kompleksit “Taiwan Tirana” shumë shpejt do të bëhen realitet.
Realitet i dhimbshëm i ditëve të fundit, por më mirë një fund me dhimbje, sesa dhimbje pa fund për këtë skuadër që ka 5 sezone që lëngon rrugëve të Kategorisë së Parë dhe kur i ka shpëtuar dy herë rënies në të dytën.
Situata sot – Në stërvitje janë vetëm 9 futbollistë, të cilët udhëhiqen nga trajneri Igli Allmuça dhe kapiteni Erald Turdiu. Të tjerët vijnë nga skuadrat e moshave, ku ndryshe nga vitet e shkuar, askush nuk denjon të provohet në radhët e bluve dhe jo më të veshë këtë fanellë. Shumë e lënë për mundësi të fundit, pasi edhe të ardhurat nuk janë të sigurta.