
Sot Skënderbeu ka zyrtarizuar Bruno Lulajn. Mbrojtësi 21-vjeçar ishte i huazuar te Laçi në dy fazat e para të Superiores, por pas paraqitjes mbresëlënëse me kurbinasit, kampionët kanë vendosur ta rikthejnë në shtëpi. Përmes një njoftimi në faqen zyrtare klubi i Skënderbeut bën me dije që Lulaj do të nisë që sot stërvitjen nën urdhrat e trajnerit, Ilir Daja në Antalia të Turqisë.
"Klubi vendos të kthejë nga huazimi edhe mbrojtësin Bruno Lulaj. Paraqitjet pozitive me fanellën e Laçit në dy fazat e para kanë bindur drejtuesit të kthejnë në ekip 21-vjeçarin. Bruno ka udhëtuar me grupin drejt Antalyas dhe sot do të zhvillojë stërvitjen e parë nën drejtimin e trajnerit Ilir Daja!", shkruhet në njoftimin e Skënderbeut.
Pas zyrtarizimit të Plakut ditën e djeshme, sot kampionët e Shqipërisë kanë përforcuar prapavijën me 21-vjeçarin e talentuar.
[gallery columns="1" size="full" ids="71149"]