Elseid Hysaj është regjistrohet në historinë e futbollit shqiptar si kapiteni më i ri në moshë. Është vetëm 22-vjeç dhe merr përgjegjësitë e Lorik Canës, i cili dje e la në baltë ekipin Kombëtar, pikërisht në ndeshje ku nuk ka shumë për të lëshuar "pe". Shkodrani që luan për Napolin dhe që kërkohet nga ekipe Angleze, të cilat i kanë rritur dhe vlerën e kartonit, u shpreh se Shqipëria do të bëjë të pamundurën për të kaluar grupin. Më tej ai flet edhe për takimin kundër Zvicrës, ku tregon se të gjithë mund të mos luajnë mirë, qoft në fillim apo në fund të 90 minutave.
Kapiten - "Shiriti i kapitenit që më dha Loriku është diçka që më dha shumë përgjegjësi. Do të jap maksimumin tim ashtu si Loriku. Do të bëjmë të pamundurën të marrim 1 pikë apo të fitojmë ndaj Francës. Ndeshjet po mbarojnë, ndaj duhet të marrim pikë që të mbijetojmë në Euro 2016. Nëse do të hyj në fushë do të jap maksimumin për skuadrën dhe tifozët".
Reportazhi i RTSH - "Kanë shkuar te shpija ime, ka folur për mua gjyshi im. E pash dhe ai më bëri që të ndiej shumë emocione. Ai është emocionuar qëkur më ka parë kur kam qenë fëmijë. Prej atëherë nuk ka ardhur më të më shohë nga afër, sepse emocionohet shumë. Do të bëj më të mirën që ta bëj të ndihet krenar".
20 minuta - "Zvicra është skuadër shumë e fortë. Mbi të gjithë ekipet vihen në vështirësi, ashtu siç na vunë ata ne dhe ne ata. Ne treguam që kemi cilësi. Vështirësi ka në fillim por edhe në fund të ndeshjes. Kështu është futbolli, nuk shihet vetëm në 20 minutat e para".