Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

ARKIVA

Shëtitja e fanelave në fushë apo bulevard, kauza që rrezikon përplasjen e tifozëve me presidentët e klubeve dhe FSHF-në

Shkruar nga NEWSPORT
Shëtitja e fanelave në fushë apo bulevard, kauza që rrezikon

Shorti i hedhur javë më parë në Federatën Shqiptare të Futbollit vendosi që Kategoria Superiore për sezonin 2020-2021 të startonte në 12 shtator. Një gjë e tillë nuk ndodhi për shkak të bojkotit të bërë nga klubet, iniciuar nga nisma e Ligës Profesioniste teksa kërkohet nga qeveria plotësimi i katër kërkesave për Ligjin e Sponsorizimeve. Ministrja e Sporteve, Anila Denaj e tha hapur që nuk mund të binin në "kurthin" e shantazhit.

Pas kësaj, Liga Profesioniste me miratimin e presidentëve të klubeve ka marrë hapin e radhës. Sot, të gjitha ekipet e Kategorisë Superiore do të zbresin në fushë ashtu siç është parashikuar në kalendar. Gjithçka do të jetë gati sikurse një ndeshje e zakonshme të edicionit futbollistik. Madje, Newsport.al mëson se janë caktuar edhe arbitrat për të gjykuar në këto sfida. Mirëpo, topi do të vihet në mesin e fushës, por ndeshja nuk do të fillojë. Kjo është mënyra e radhës e zgjedhur për të protestuar për mosplotësimin e katër pikave për Ligjin e Sponsorizimeve që i shërben biznesmenëve që investojnë në futboll.

Ndoshta e kanë menduar drejt, por në aspektin personal, mendoj që një kauzë e tillë do të shkaktojë përplasje me tifozët. Janë këta të fundit që e kanë ndjekur ekipin e zemrës në çdo cep të Shqipërisë ku ka luajtur. Janë ata që nuk e braktisin kurrë skuadrën e tyre, ndërsa presidentët për një motiv apo një tjetër, janë kalimtarë. Sot, zyrtarisht do të shëtiten fanelat në fushë, me urdhër të këtij apo atij, pak rëndësi ka. Kjo është e papranueshme për një tifoz, pasi ai është mësuar ta shohë atë të djersitur, me shpresën e madhe se gjithçka luhet drejt në fushë.

Si të mos mjaftonte kjo, nëse qeveria s'do të gjejë një zgjidhje, është paralajmëruar protestë me futbollistët e veshur me uniforma në bulevard. Sportivisht askush s'mund ta kishte çuar në mendje një gjë të tillë, për më tepër një tifoz. Nëse një lojtar nuk është në kondicionin e duhur, atij i kërkohet të luajë për fanelë. Por, në këtë kauzë të ngritur, fanela bie poshtë bashkë me futbollistët që janë thjesht ushtarë të komanduar nga kontrata e nënshkruar në fillim të sezonit. /Retin TOKA/

Poll

Lexo gjithashtu

Superiore - Ndeshjet

Kategoria Superiore

Itali - Serie A

Spanjë - La Liga

Angli - Premier League

Gjermani - Bundesliga