
Tirana pret Teutën në “Elbnasan Arena” për të zhviluar mes tyre edhe sfidën e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Bardheblutë kërkojnë tripetën këtë sezon, ndërsa do të luftojnë deri në fund për Kupën e Shqipërisë.
Në konferencën para mediave, trajner Orges Shehi ka theksuar se tashmë është pika kulminante e sezonit ku kërkon të marrësh frutet e punës.
Moment i rëndësishëm i sezonit? Është pika kulminante e sezonit ku kërkon të marrësh frutet e punës. Ka ngarkesë sidomos për ne që jemi në punë por me lojtarët që kemi do të ruajmë energji pas ndeshjes ndaj Vllaznisë dhe do të përqendrohemi te e nesërmja. Shpresoj ta përballojnë dhe mund të bëjmë 1-2 lojtarë rotacion sepse kemi edhe kampionatin. Nuk është rotacion tamam sepse do të fus lojtarë që kanë mbajtur peshën e sezonit. Në mesfushë kemi 4 lojtarë që kanë luajtur gjithë sezonin dhe dikush mund të pushojë por edhe në mbrojtje kemi lojtarë si Lulaj, Behiratce e Najdovski. Nuk mendoj se është tamam rotacion.
Teuta? Të gjithë kundërshtarët në këtë fazë me 2 takime kërkojnë të bëjnë maksimumin. Është një kompeticion me dy takime dhe asgjë nuk përfundon nesër sepse ka edhe kthim. Na kanë vënë në vështirësi shpesh por shpresoj që nesër ta vëmë ne në vështirësi.
Mungesa e Kupës me Tiranën? Jam pjesë e një klubi që do të shtojë trofetë në arkivën e vet. Përderisa është një trofe, duam ta fitojmë edhe pse ka ngjeshje dhe do të fokusohemi te ajo që kemi. Kur je në gjysmëfinale, bën maksimumin për në finale.
Mungesa? Nuk kemi Nikqin dhe nuk dimë gjendjen e Abazajt sepse po sakrifikon. Nikqi me shumë mundësi do të mungojë 2-3 javë ndërsa pjesa tjetër është e gatshme”, u shpreh Shehi.