
Jose Mourinho ditën e djeshme u shkarkua nga Roma, me portugezin që u largua kështu nga verdhekuqtë. Menjëherë skuadra italiane e zëvendësoi “Special One” me Daniele De Rossin, me këtë të fundit që ka marrë në dorë “frenat” e ekipit për pjesën e dytë të sezonit.
Shkarkimi i Mourinhos ka marrë vëmendjen e protagonistëve të tjerë të Serie A. Pikërisht për këtë ka folur Missimiliano Allegri, i cili ka theksuar se kampionati italian ka humbur një trajner të madh.
“Jam i mërzitur për këtë fakt. Futbolli italian po humbet një trajner të madh. Shikoni çfarë ka bërë në karrierën e tij, por edhe për Romën, ku ka bërë një punë të jashtëzakonshme. Gjithçka mund të duket e lehtë nga jashtë, por brenda ai ka bërë një punë vërtet të madhe, rezultatet e tregojnë këtë. I uroj gjithë të mirat në të ardhmen”, ka theksuar Allegri.