Të dielën e 27 dhjetorit, Vllaznia luajti në shtëpi kundër Skënderbeut, takim që u mbyll me shifrat 5-1. I pranishëm në stadium ishte edhe ish-administratori Suad Lici, i cili prej kohësh ka dhënë dorëheqjen nga drejtimi i klubit shkodran. Para ndërrimit të viteve, në rrjetet sociale qarkulloi një dokument që tregonte listën e personave VIP që ishin futur në Loro Boriçi në radhët e klubit të Skënderbeut. Ai që ra në sy ishte emri "Suad Lici".
Çështje të tilla janë mjaft sensitive në opinionin sportiv dhe për këtë Newsport.al u interesua në klubin shkodran për të mësuar se si qëndronte e vërteta. Pasi siguroi dokumentin e personave që ishin futur si pjesë e VIP-ave për Vllazninë, rezultoi se emri i ish-administratorit, ashtu sikurse edhe Alban Xhaferit si sponsor i klubit, nuk ishte i shkruar.
Lici ka të drejtën legjitime për t'u futur në stadium përmes bexhit si pjesë e strukturave të rëndësishme të Bashkisë së Shkodrës. Ndërkohë emri që rezultonte në listën e klubit të Skënderbeut, ishte i djalit të ish-administratorit. Ka qenë një gabim i punonjësit të security që ka ngatërruar Suadin me të birin e tij, Sead.
Pra e vërteta është ndryshe nga së është shkruar në media apo përfolur në rrjetet sociale. Suad Lici është futur në stadium me bexhin e zyrtarit të Bashkisë, ashtu siç futën zyrtarët e klubit (jo të ftuarit), ndërsa emri në listën e klubit të Skënderbeut është i djalit të tij, Sead Lici.
Kujtojmë që Suad Lici dha dorëheqjen nga posti i administratorit të klubit të Vllaznisë pas një sezoni pozitiv të shkodranëve. Vlen të theksohen futbollistët që po bien në sy këtë sezon futbollistik si Mevlan Adili i cili u afrua te kuqeblutë pikërisht nga ish-administratori Lici. Veç qendërmbrojtësi, anësori i linjës së majtë Isaevski është prurje e tij apo dhe Gurishta që këtë vit po bën një sezon fantastik, ka qenë këmbëngulja e tij për t'i dhënë më shumë hapësira kapitenit aktual të shkodranëve. /Newsport.al/
