Pavarësisht se siguruan mbijetesën vetëm me një ndeshje shtesë, Erzeni është surpriza e këtij sezoni në Superiore. Shijakasit erdhën nga Kategoria e Parë, ndërtuan një skuadër brenda 10 ditëve të fundit të merkatos dhe në 2 fazat e para habitën të gjithë me rezultatet surprizë që arritën duke qenë në pjesën e lartë të renditjes.
Skuadër e ndërtuar me lojtarë të rinj e të panjohur por të ndërthurur edhe me figurat më me eksperiencë si Krasniqi, Xhika apo Peposhi. Erzeni prezantoi edhe disa emra të rinj si Mehmeti, Osmanllari apo edhe brazilianët Nonato, Alan dhe Enck.
Nonato e Alan kanë shkëlqyer me të parin që doli golashënuesi i ekipit me 12 gola dhe i treti në kampionat pas Hasanit dhe Da Silvas. Për bomberin ka interest ë lartë që prej janarit por drejtuesit kanë rezistuar dhe të 4 brazilianët janë të “blinduar” në Shijak.
Nëse nuk ka ndonjë surprizë apo ofertë zyrtare, Nonato, Enck, Alan dhe Leao do të jenë pjesë e Erzenit edhe sezonin e ri pasi kanë ende një vit kontratë.