Shqipëria humbi dje 3-1 miqësoren me Republikën Çeke në transfertë. Goli i vetëm për tanët u shënua nga Sokol Cikalleshi. Kavajasi realizoi një perlë nga distanca, duke shtangur portierin vendas. Goli e vendosi sulmuesin mes emrave më të mirë që kanë shënuar për Kombëtaren.
Me golin e 11 për Shqipërinë, Cikalleshi barazon Altin Rrakllin dhe Hamdi Salihin. Dy legjendat e sulmit kuqezi janë barazuar tanimë nga kavajasi, ndërsa Salihi e ndoqi nga stoli realizimin perfekt të Cikalleshit si krahu i djathtë i Rejas.
Përpara Cikalleshit me realizime te Shqipëria qëndron Sadiku me 12 gola, ndërsa me 13 është Ervin Skela. Përpara qëndron Alban Bushi me 14, ndërsa kryeson renditjen me 18 gola Erjon Bogdani. Tanimë synimi i Cikalleshit me Kombëtaren është i qartë, të afrohet sa më shumë me Bogdanin duke lënë pas emrat e njohur në renditje.