
Safet Gjici ka folur për videoskandalin e dalë së fundmi. Presidenti i Kukësit ka bërë një analizë të përgjithshme të situatës teksa ka deklaruar:
"Unë e para njëherë më duken si të sajuara këto histori. Kur fillon një hetim Prokuroria duhet të heshtin të tjerët. Nga imazhi jonë jemi rënduar shumë rëndë. Kemi pajtuar një studio ligjore. Menaxheri i klubit të Kukësit quhet Naim Halili. Unë e njoh Drini Çaushin, pasi më ka sjellë Allën, Kalen dhe Rrumbullakun. E kam takuar 2-3 herë, në lidhje me kontratat e këtyre lojtarëve. Nuk ka qenë ndonjë herë dhe nuk është menaxher zyrtar i klubit të Kukësit.
Për Emiliano Vilën, Trashin dhe Sukajn, Dritan Dervishi deshi të mi sillte te Kukësi. Takuam vetëm Sukajn, por nuk ramë dakord për çmimin.
Ndeshja me Partizanin ishte fair-play dhe shënuam dy gola. Pasi shënuam autogolin mendova se mos ma kanë bërë me dashje. Te Shameti nuk do të kisha kurrë asnjë dyshim, por edhe te Alla gjithashtu sepse është djalë korrekt. Ndeshja me Partizanin nuk kishte asnjë problem. Pas disa ditësh pashë që Drini fliste në emër të Kukësit. Më interesantja ishte se në një moment thotë që jam me Naimin. Po ku paska qenë me Naimin ai? E vërteton sistemi që kishte një muaj që ishte jashtë. Këto gjëra nuk kanë asnjë fakt që më implikojnë mua dhe Kukësin. Nëse Halili është i përfshirë le ta vërtetojë Prokuroria.
Jemi munduar ta kontaktojmë por e ka pasur telefonin e fikur. Nuk kam kontaktuar kurrë me Vilën dhe nuk i kam as numër telefoni. Këto janë trillime, sajesa. Nuk dua të hy në dyshimet që kam pasi është Prokuroria ajo që e ka marrë këtë çështje.
Për pesë vite që kam ekipin unë, nuk kam asnjë informacion që mund të kemi shitur apo blerë ndeshje. Kemi qenë shumë korrekt. Unë do ta kallëzoj për shpifje Drini Çaushin. Titulli nuk merret me këto gjëra. Ne kemi futur konkurrencën e ndershme në kampionatin shqiptar", ka deklaruar Safet Gjici.