Armand Duka është shpallur president i Federatës Shqiptare të Futbollit. Kreu aktual fitoi 37 me 4 kundrejt kandidatit tjetër Sulejman Starovës.
Pas numërimit të fletave të votimit, Duka mori fjalën duke falënderuar të gjithë ata që e votëbesuan. Gjithashtu theksoi se do të shmangë me sportivitet të gjitha shpifjet kundrejt tij.
“Jam vërtetë i emocionuar dhe i obliguar për këtë votëbesim nga ana juaj. Dua të përshëndes të gjithë ata që më votuan dhe ata që nuk janë. Do të mundohem të korigjoj të gjitha vërejtjet. Po dëgjoj edhe shpifje apo ofendime, por do t’i shmang ato me sportivitet.
Sot është një ditë e mbarë dhe dua të lëmë pas ato që kemi kaluar gjatë këtyre dy muajve. Bashkë me të gjithë dua të kontribuojmë dhe të derdhim energjitë e futbollit për ta çuar përpara. Ju falënderoj, ju garantoj që do të jem në shërbimin tuaj gjatë 4 viteve të ardhshme”, tha presidenti Duka.
Ndërkohë, kandidati tjetër, Dritan Shakohoxha nuk ishte i pranishëm me pretendimin e parregullsive të kësaj Asambleje të Përgjithshme të Zakonshme. Sakaq bojkotoi zgjedhjet edhe kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit Tiranë, Eduard Prodani si dhe kryetarët e Bashkive që menaxhojnë klubet e futbollit në Kategorinë e Parë. Siç ishte në program, nuk u paraqitën 12 anëtarë me të drejtë vote, nga 55 që ishin në total.
