
Tirana dhe Partizani janë 2 skuadrat e kryeqytetit që gjithmonë kanë dhuruar spektakël në fushën e blertë, por edhe në shkallët e stadiumit. Rivaliteti si mes lojtarëve, ashtu edhe ndërmjet tifozëve i ka shtuar bukurinë kësaj supersfide. Të dy skuadrat janë të dënuara për ta fituar, pasi siç thonë edhe tifozët: "Më mirë derbin, se sa kampionatin", duke treguar në këtë mënyrë rëndësinë që ka kjo ndeshje.
Megjithatë, ndryshe nga herët e tjera, Tirana dhe Partizani me shumë gjasa do të ndajnë të njëjtin qytet për fazën përgatitore. Me shumë mundësi të 2 ekipet e kryeqytetit do ta zhvillojnë fazën përgatitore në Turqi, në Antalia. Por duhet të presim datën 4 janar, për të mësuar se cili do të jetë destinacioni përfundimtar i tyre.