Partizani e nisi vitin 2024 me fitore në “Arenën e Demave”, me të kuqtë që triumfuan 1-0 ndaj Teutës. Një ndeshje e veçantë, pasi në stol debutoi edhe Orges Shehi, i cili në këtë mënyrë e nis me këmbën e mbarë aventurën e tij te Partizani.
Tashmë timonieri ka nisur menjëherë nga puna për duelin e javës së 20-të që do të luhet me Laçin. Partizani do të luajë në “Arenën e Demave” ditën e shtunë në orën 17:00. Një sfidë ku kryeqytetasit kërkojnë sërish fitoren për të vazhduar me ecurinë e rezultateve pozitive.
Ndaj kurbinasve, Shehi do të ketë rikthime, mungesa dhe dyshime. Do të ketë të gatshëm Adnard Mehmetin, i cili mungoi ndaj Teutës për shkak kartonësh, ndërkohë nga ana tjetër do të mungojë Sembene, i cili ka plotësuar numrin 4 të kartonëve të verdhë.
Në dyshim mbetet Albers Keko, i cili ka një dëmtim të vogël në këmbë dhe ende nuk ka mundur t’i bashkohet skuadrës në stërvitje. Stafi shpreson që deri ditën e ndeshjes lojtari të shërohet dhe të japë kontributin e tij ndaj bardhezinjve.