
Kategoria Superiore pritet të zbresë në fushë këtë të dielë, pra në 1 nëntor. Edhe pse nuk është ende zyrtare, mbledhja urgjente e kërkuar nga Liga Profesioniste mes presidentëve të elitës ka të bëjë pikërisht më këtë. Burime jo zyrtare tregojnë për Newsport.al që përgjigja e kthyer nga qeveria përmes deputetit Fidel Ylli ka lënë shije të mirë në institucionin e futbollit në vend.
E pikërisht për të mos humbur më kohë, është vendosur që sot në orën 13:00, në "Air Albania Stadium" të zhvillohet mbledhja për të dalë më pas me vendimin unanim për startin e edicionit të ri futbollistik.
Duhet theksuar se kjo nuk është zyrtare, por në ambientet e Federatës Shqiptare të Futbollit thuhet se të dielën do të luhet java e parë e sezonit 2020-2021, e cila ishte caktuar nga shorti për të nisur në 12 shtator. Një gjë e tillë nuk ndodhi pasi klubet e elitës kërkonin plotësimin e 4 kushteve për Ligjin e Sponsorizimeve.