
Supersfida e javës do të jetë dueli mes Egnatias dhe Partizanit. Ky takim do të luhet ditën e shtunë duke nisur që nga ora 14:00 në “Egnatia Arena”, e vlefshme për javën e 13-të të Superiores.
Një duel “titanësh” mes rrogozhinasve dhe kryeqytetasve të cilët do të bëjnë mes tyre edhe llogaritë e 3 pikëshit që do t’i bënte lider të vetëm të kampionatit. Do të jetë e luftuar si në fushën e lojës edhe në shkallët e stadiumit.
Edlir Tetova ka nsiur tashmë punën për të përgatitur skuadrën për këtë superndeshje. Te rrogozhinasit do të ketë rikthime dhe mungesa të rëndësishme. Do të jetë i gatshëm për Tetovën, Albano Aleksi, ky i fundit mungoi ndaj Skënderbeut për shkak kartonësh. Po për këtë arsye do të mungojë Abdurrahman Fangaj. Ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në sfidën ndaj korçarëve.
Ndërkohë dy lojtarë të tjerë mbajnë peng formacionin e Egnatias ndaj Partizanit. Renato Malota ka marë një goditje në kofshë në duelin me Erzenin dhe ende ndjen dhimbje, ndërsa Fernandos ndjen dhimbje në këmbën e djathtë. Gjendja e të dy lojtarëve do të jetë nën monitorimin e stafit mjekësorë të skuadrës dhe vetëm para ndeshjes do të mësoihet nëse lojtarët do t’ia dalin për të luajtur ndaj demave apo do të detyrohen të ndjekin këtë sfidë nga tribuna.