Nga Retin TOKA
Kishin marrë vrullin për t’u larguar nga stadiumi, ashtu siç luanin me shpejtësi dikur topin në fushë. I madhi Perlat Musta dhe i pakalueshmi Sulejman Starova ishin prezent në barazimin 2-2 të Partizanit kundër Bylisit. Në këtë ditë të ftohtë shkurti, e vetmja ngrohtësi që ata ndjenin pas rezultatit zhgënjyes ishte miqësia me njëri-tjetrin teksa ecnin me krahun futur te tjetri në zonën “Librit Universitar”. Tema kryesore ishte se si është katandisur në këtë gjendje Partizani që ata preferonin ta quanin të “tyre”.
Starova ishte më aktiv gjatë gjithë rrugës, ndërsa Musta e dëgjonte me kureshtje. Unë isha pranë tyre dhe ajo që ma vrau veshin ishte: “Të goli i dytë ishte pakujdesi e Albanit. Kurrësesi s’i humb vlerat që ka”, tha në një moment Perlati, ai që e ka stërvitur dikur “gardianin” e kuq. Kaq mjaftoi dhe unë e bëra rrugën “bashkë” me ata, edhe pse nuk më kishin shquar. Dëgjova me kujdes atë që thoshte Starova, teksa theksin kryesor e vinte te keqmenaxhimi i situatës me Esat Malën. Mesfushori shtatshkurtër, një nga më të mirët në Shqipëri nuk luan për shkak të mosmarrëveshjeve me klubin.
“Si mund të mos aktivizohet Esat Mala? Ja e majte në stol, çfarë fitove? Ja s’e përfshive hiç, prap çfarë fitove? S’do të firmosë, le të mos firmosë. Ai i ik se i ik është. Merri maksimumin t’paktën. Ke objektiv titullin, merre fute n’fushë t’mar pikët. Syno t’i marrësh më të mirën grupit që ke. S’është as i pari, as i fundit që nuk firmos. Shif Dokën ke Tirona. S’ka firmos, po janë tu e fut n’lojë neshje për neshje. Pun e modhe fort, ai punën po e bo mirë. S’e futi, ekipi do humbë. Futbollisti s’i humb cilësitë se bo stërvitje individuale”, ishin fjalët e Starovës që u ndërprenë nga dikush që e përshëndeti në rrugë.
“Hë mër ç’a patën ashtu?”, ishte pyetja e një zotërie rreth të 60-ve. Musta e përshëndeti, ndërsa Starova iu përgjigj: “Ça’ t’i bojm”, duke lëvizur dorën në shenjë mërzie.
Më tej vazhdoi duke biseduar sërish me Perlatin: “I thashë Gazit për Malën. Merre fute në lojë. Fito kampionatin. Po ai s’do. Ka desh t’marrë 300 mijë euro për të”. Ndërkohë Mustës i bie telefoni dhe vetëm në atë moment, ku kishin arritur gati pranë “Petro Ninit”, Starova ia hoqi krahun. 64-vjeçari ishte mjaft i mërzitur dhe dukej se e përjetonte barazimin si në periudhën kur drejtonte të kuqtë. Ndërsa Musta ishte më i qetë dhe i pëlqente më shumë të dëgjonte atë që thoshte ish-bashkëlojtari i tij.
Edhe pse kishin kaluar gati 15 minuta që ecnin krah për krah me njëri-tjetrin, kjo gjë s’ua kishte tërhequr aspak vëmendjen atyre. 2 golat e Bylisit, vazhdonin të “shënoheshin” në kokat e tyre. S’mund ta përtypnin faktin se nuk u morën 3 pikë në një ndeshje si e kjo e sotmja. Tifozë të pranishëm, stadium i mrekullueshëm dhe gjithçka çfarë duhej për një skuadër futbolli.
Pas telefonatës së Mustës, aty mbaroi edhe rrugëtimi im me dy legjendat e klubit të Partizanit. Njëri më i mërzitur se tjetri, ndërsa unë me kureshtjen e një sportdashësi dëgjoja se si analizonin mes shokësh një barazim të ekipit kryeqytetas. Ishte e veçantë sepse nuk kishte kamera rreth e rrotull, dhe gjithçka e thonin ashtu si e mendonin. Fiks si dy shokë skuadre që nuk lënë gjë pa thënë e analizuar rreth asaj që shohin në ekip. Ishte e shtuna e 22 shkurtit, “stacioni” i dy “legjendave” ishte një kafene përballë “Petro Ninit”, ndërsa unë ndalova para tastierës për të hedhur në letër përjetimin e një barazimi të dy kampionëve të kuq.