Kategoria Superiore ka ulur siparin për vitin 2023 me sfidën e fundit të zhvilluar në “Air Albania” ndërmjet Partizanit dhe Erzenit. Të kuqtë u mundën nga shijakasit me rezultatin 1-2.
Në takimet e tjera, Egnatia e vendit të parë u mund nga Tirana në “Arena Egnatia” me rezultatin e thellë 0-5. Derbi i veriut, Laçi – Kukësi që u zhvillua të shtunën përfundoi në barazim 1-1.
Edhe Vllaznia regjistroi një triumf të thellë e fantastik, pasi mundi Skënderbeun me rezultatin 5-0. Pas dy humbjeve radhazi Dinamo City u rikthye te fitorja pasi mundi Teutën në “Niko Dovana” 1-2.
Me mbylljen e kësaj jave edhe klasifikimi pëson ndryshime. Egnatia e Partizani nuk lëvizin, ndërsa Tirana e Vllaznia marrin frymë teksa shkëputen me 4 pikë nga Dinamo e Skënderbeu. Erzeni tashmë sheh lart dhe janë vetëm 1 pikë larg vendit të 5-të, ndërsa 5 nga Final Four. Në fund mbeten Kukësi e Teuta me 19 dhe 16 pikë.