
Igli Tare, drejtori i Lazios është rrëfyer për ofertën e Milan, detyrën e rëndësishmë në klubin e Serie A dhe mundësinë për një kandidim për postin e kreut të FSHF. Për Oversport. Tare ka treguar se përpara dy vitesh ka refuzuar një ofertë për të kaluar te Milan, ndërsa një ditë e sheh veten në krye të FSHF-së.
Më vështirë të bindësh trajnerët apo lojtarët?
Varet, herë-herë nuk është e vështirë për shkak se shumë trajnerë dhe shumë lojtarë kanë një dëshirë të madhe të jenë pjesë e jona. Normal ka raste kur ka vështirësi si profesion, pasi janë të gërshetuara me çmimet dhe klubet ku janë. Deri tani është një eksperiencë pozitive dhe nuk ka qenë i vështirë t'i bindim.
Lazio dhe shqiptarët - Hysaj duhet të kishte ardhur te Lazio që në moshë të re, 17 vjeç. Që atëherë ne jemi munduar ta marrim, por nuk u bë e mundur. Kësaj here ishte një dëshirë e përbashkët. Ishte lojtar i lirë dhe ishte një mundësi e mirë në merkato. Së dyti ishte një kërkesë edhe e Sarrit, pasi ai ka qenë ai që e ka futur në futbollin e Serie A. Ishte një dëshirë e përbashkët.
Nuk është se humbet shumë Muriqi nga Kosova te Lazio. Ka pasur vështirësi në përshtatjen nga futbolli turk në futbollin italian, por mbi të gjitha e kanë penalizuar dëmtimet. Ato ia kanë bërë të vështirë futjen në futbollin italian. Këtë vit e ka bërë fazën me skuadrën dhe rezultati shikohet në ndeshjet që ka pasur mundësi të luajë dhe nga forma fizike që ai ka treguar, si me ne, ashtu edhe në ndeshjet e Kosovës.
Ambicia për kreun e FSHF - Jam akoma djalë i ri për të patur një ambicie të tillë. E kam thënë gjithmonë që është dëshira ime që të kontribuoj për rritjen e futbollit shqiptar. Ndoshta një ditë, pse jo. Akoma kam për të dhënë këtu ku jam, e ndjej veten mirë me këtë që bëj. Normalisht mbetet një opsion i hapur.
Oferta e Milan - Raportet me Maldinin i kam shumë të mira, pasi kam pasur fatin edhe të luaj kundër tij si lojtar. Kemi një lloj respekti dhe ka qenë një mundësi që unë të punoja për Milanin para dy vitesh, por besoj se klubi ku jam më mbush, më ofron të gjitha ato mundësitë për të kënaqur ambiciet e mia profesionale. Ka qenë thjeshte një zgjidhje e imja", tha Tare.