
Ka përfunduar mbledhja e Ligës Profesioniste të Futbollit me deputetin Fidel Ylli, të ngarkuar nga Qeveria për të negociuar mes palëve. Në fund të diskutimeve të sotme, palët janë të ndarë, teksa nga njëra anë Fidel Ylli kërkon nisjen e sezonit dhe më pas takimin me kryeministrin, ndërsa kreu I Ligës, Edvin Libohova deklaron se nuk do të ketë futboll as pas këtij takimi.
Sipas Libohovës, kërkesat do të rishihen dhe njëherë, duke u riformuluar, ndërsa për këtë gjë kanë rënë dakord të gjitha palët. "Përfundimisht ramë dakord për të dërguar pas listën me 4 kërkesat që kemi bërë. Do kthehen pas për t'u përgatitur dhe për t'u dërguar përsëri", tha fillimisht Libohova.
Fidel Ylli tha pas takimit:
"Mendoj se është vullneti i kryeministrit, qeverisë dhe parlamentit që kërkesat e Ligës të kemi mundësi t'i realizojmë. Nuk po them se sa %, janë ca gjëra teknike që duhet t'i flasim me Ministrin e Financave dhe me specialistë të ndryshëm, por dëshira është e njëjtë.
Liga? Ata duan të vazhdojnë bojkotin. Kërkesa ime, jo e qeverisë, është që nuk mund të negociojnë me kryeministrin duke pasur bojkot. Duhet të filloni kampionatin dhe të jeni të bindur që jam këtu si i dërguari i kryeministrit për zgjidhjen e problemit.
Të jeni të bindur që një përfaqësi nga ju, shumë shpejt duke parë agjendën e kryeministrit, do të jemi në zyrat e qeverisë për të folur me detaje, edhe me ministrin e Financave(do të flas me të që sot) por edhe kryeministrin, që topin e futbollit ta kthejmë në fushë javën tjetër.
Takimi ishte shumë i frytshëm, pati debate por jo aq të ashpra. Unë jam pjesë e sportit, kështu që jam dakord me ta, jam dakord me kërkesat e tyre, por nuk jam specialist i financave, është ministria e Financave që do të japë viston përfundimtare.
Hapi i radhës? Liga ka mendimet e saj, ka të drejtën e vet të bojkotojë. Do të ecim shumë shpejt që këto kërkesa t'i vëmë në zbatim.
Nëse ata e fillojnë kampionatin, atmosfera dhe kryeministri do të jetë shumë herë më i gatshëm dhe i predispozuar të gjejë hapësirë në agjendën e tij të ngjeshur, që të gjejë hapësirë që të presë grupin e punës, negociatorin e tij për t'i dhënë zgjidhje problemeve", tha Ylli.
Presidenti I Ligës, Edvin Libohova u shpreh:
"Përfundimisht ramë dakord për të dërguar pas listën me 4 kërkesat që kemi bërë. Do kthehen pas për t'u përgatitur dhe për t'u dërguar përsëri.
Përshëndesim deklaratën e Fidel Yllit që qeveria është e gatshme për të dëgjuar kërkesat tona. Ne do vazhdojmë ta shikojmë situatën ditë pas ditë. Bojkoti do të vazhdojë", tha ai.