
I ftuar mbrëmjen e djeshme në emisionin "Zona Gol" në Superport ka qenë lojtari i Skënderbeut, Marko Radas. Ky i fundit ka zbuluar disa detaje interesante që deri diku askush nuk i priste, si përshembull që i ka pëlqyer gjithmonë Tirana.
34-vjeçari ka folur dhe për ecurinë e Skënderbeut, për të cilin thotë se skuadra ka patur dhe ka vështirësi por të gjithë po mendojnë ti marrin ndeshjet një e nga një.
Në fund, ka komentuar vendimin e CAS-it për të cilin shprehet se do ta marrin me qetësi çdo gjë.
"Pas shtatë vitesh këtu, paraja nuk është gjithçka, ka gjëra të tjera më përpara dhe presidenti e Shehi më bindën, më dhanë shiritin dhe vendosa të rrija. Po, është e vërtetë që Daja më kërkoi te Flamurtari. Ju tregoj një sekret të vogël që mua gjithmonë më ka pëlqyer Tirana. Skënderbeu, kam frikë vetëm nga Skënderbeu, kuptojeni vetë, kemi frikë nga vetja. Akoma është fillimi, janë vetëm 5 ndeshje, edhe unë e Kristi e Muzaka nuk e kemi një ide ende nëse ekipi është shumë apo më pak i fortë. Por në këto 5 ndeshje fillimi është shumë i mirë. Megjithatë nuk bëhen dot krahasime me të kaluarën. Teqja është portier shumë i mirë. Por nuk mund të krahasohet me Shehin, se ai ka luajtur 500 ndeshje, është e pamundur. Koha do të tregojë sa jemi mirë dhe sa jemi dobët. Jemi në një situatë jo të thjeshtë dhe presim atë vendim, jemi me mendjen aty. Çfarë do të bëhet dhe çfarë vendimi do të japë CAS-i nuk e di, por do t'i marrim gjërat ndeshje pas ndeshje. Më pas ia lëmë kohë".