
Vllaznia do të luajë të shtunën përballë Erzenit në transfertë në kuadër të javës së 20-të të Superiores. Sfida që do të zhvillohet në “Arena Egnatia” do të startojë në orën 13:30.
Në prag të kësaj sfide ka folur edhe trajneri i kuqebluve, Qatip Osmani. Ky i fundit pohoi se klubi është në bisedime me Shkodran Mustafin.
Ndeshja me Erzenin?
“Të gjithë ne dëshirojmë një fitore, udhëtojmë për tri pikë. Ne kemi objektiv të qartë dhe kjo dihet. Këtë javë kemi punuar në analizën e Erzenit, teknikisht shumë i mirë dhe që ka qenë shumë aktiv në merkato. Pritet lojë e fortë, por kjo është e natyrshme për pozitën ku jemi. Me besimin e plotë shkojmë për fitore. Detajet në këtë sfidë do e vendosin fituesin”.
Euforia në ekip?
“Ne kemi biseduar në këtë drejtim, sepse janë edhe 17 ndeshje dhe është herët për të qenë i sigurt në klasifikim. Mund të ndodhë gjithçka. Gjithmonë e kujtojmë situatën më parë, aty ku ishim për mos u rikthyer”.
Afrimet në merkato?
“Çdo lojtar që vjen, vjen në bashkëpunim me drejtorin sportiv. Kemi qenë të detyruar të luajmë me lojtarë në mbrojtje që nuk është pozita e tyre e natyrshme. Kemi qenë të detyruar për një mbrojtës të majtë. Sala dhe Mala nuk janë në pozitat e tyre, por në vendet e veta japin më shumë”.
Mungesa e Hakaj?
“Hakaj do luajë, klubi ka paguar gjobën”.
Tema e Shkodran Mustafit?
“Bisedat janë, edhe unë kam biseduar me të atin e tij. Të presim këto ditë se çfarë do ndodhë”.