
"Profesor, Lorik Boshnjaku nuk ishte në formën e duhur. Si është e mundur që luajti për 90 minuta? A mos duhet të ishte ndërruar më parë?", kjo ishte njëra prej pyetjeve drejtuar Mirel Josës pas barazimit 1-1 në Shkodër kundër Universitatea Craiova. Profesori, i mësuar dhe i regjur me futbollin shqiptar, qëndroi disa sekonda pa folur duke e parë në sy për t'i nxitur ndërgjegjien se kishte gabuar. "Pse nuk të pëlqeu ty?", ia ktheu ai, diçka jashtë natyrës aspak arrogante që karakterizon trajnerin kryeqytetas.
Padyshim që kjo pyetje e gazetarit shkodran ka nxitur reagim të madh edhe në opinionin publik, veçanërisht atë sportiv. Të gjithë në stadiumin "Loro Boriçi" ishin dëshmitar të një performance të jashtëzakonshme të mesfushorit të sapo ardhur në merkaton e verës. Një dëshmi që tregon se trajneri Josa nuk gabon kurrë kur këmbëngul për individë të veçantë që t'i ketë nën urdhrat e tij. Megjithatë pyetjet e parapërgatitura janë gjithmonë ato që "ngelin në klasë" gazetarët.
Ndofta do kishte qenë e udhës dhe larg subjektivizmit, t'i jepej Çezarit ajo që është e Çezarit. Dhe një i verbër ka arritur të shquajë lojën e mirë të mesfushorit kosovar në impiantin shkodran, vetëm falë brohorimave të herë pas hershme kur ai merrte topin nga tifozët. Në ndeshjen e ardhshme, gjithkush mund të jetë më i vëmendshëm. E për të mos bërë protagonizmin me gjëra të paqena, duke lënë mënjanë pyetjet "tip", është koha të duartrokasim të mirën dhe të kritikojmë kur ka vend të keqen.