
Partizani ka një test të vështirë këtë fundjavë, teksa do të vizitojë Kurbinin për tu ndeshur me Laçin. Një takim që vjen në momentin më të mirë të të kuqve, të cilët nuk njohin humbje prej 5 takimesh.
Ndërkohë në anën tjetër, Laçi ka grumbulluar vetëm 1 pikë në 3 javët e fundit të Superligës, duke rrëshkitur shumë në renditje. Gjithsesi, para këtij dueli trajneri i Partizanit, Skënder Gega ka marrë një lajm të keq, pasi nuk do të ketë shërbimet e mbrojtësit Lum Rexhepi.
Kosovari ka pësuar një tërheqje muskulare në ndeshjen ndaj Kastriotit. Vendin e tij pritet ta zë Atanda, me afrikanin që kohët e fundit është përdorur si mesfushor shkatërrues. Megjithatë nuk përjashtohet që në qendër të mbrojtës të rivihet Ibrahimi dhe në të djathtë të mbrojtjes të vihet Idrizaj.
Balotazh edhe në krahun e majtë të sulmit, me Mensah e Hebaj që do të luftojnë për një fanellë titullari ndaj Laçit. Ndërkohë pjesa tjetër pritet të vendoset kështu:
Hoxha në portë, Ibrahimi-Atanda-Belica-Trashi në mbrojtje, Kote-Telushi-Mala në mesfushë dhe Asani-Mensah në mbështetje të Bardhit në qendër të sulmit.