
Hetimet për shkeljen e rregullave financiare nga Juventusi vazhdojnë. Kjo situatë padiskutim nuk prek vetem “Zonjë e Vjetër”, por të gjithë loojtarët që kanë mbajtur veshur fanellën e bardhezinjve.
Ky hetim ka prekur edhe Paulo Dybalan, i cili sipas “La Repubblica” është thirrur nga Prokuroria Publike e Torinos. Argjentinasi është marrë në pyetje si person i informuar për faktet nga disa agjentë të “Guardia di Finanza”, të cilët kishin ardhur enkas në Romë nga Torino.
Bëhet fjalë për një shifër prej 3 milionë euro si detyrim parakontraktor, pasi u zbulua një kërkese për dëmshpërblim e bërë nga avokati i Dybala drejt Juventus, pas përfundimit të negociatave për rinovimin,
Pikërisht kjo shifër do t’i kishte ngritur pikëpyetje te prokurorët, pasi është shumë afër 3,783 milionëve që palët kishin rënë dakord të shpërndanin në vitin 2021 në sezonin pasardhës, kuptohet se është pjesë përbërëse e ‘manovrës së pagave’ të famshme të zbatuar nga Juventusi.
Seanca paraprake në sferën juridike do të mbahet më 27 mars, ndërsa në aspektin sportiv priten vendime të cilat përveç Juventusit mund të prekin edhe lojtarët: “neni 31 i Kodit të Drejtësisë Sportive i ndalon klubet të bien dakord apo të paguajnë dëmshpërblim në kundërshtim me rregullat federale dhe për lojtarët që përdorin një marrëveshje për të marrë kompensim”. Sipas rregullores, pra, Dybala rrezikon të përballet me një skualifikim që zgjat të paktën një muaj.