Vetëm pak minuta më parë Tirana ka prezantuar zyrtarisht Erbim Fagun si trajnerin e ri të skuadrës. 36-vjeçari merr kështu në dorë “frenat” e bardhebluve për pjesën e mbetur të sezonit.
Prezantimi i Fagut u bë nëpërmjet një video, i cili zëvendëson në stol kështu Julian Ahmatajn. Deri këtu është gjithçka ok, por ajo që ra në sy është injorimi i bërë ndaj 44-vjeçarit.
Në faqet zyrtare të klubit mungon zyrtarizimi i Ahmatajt, i cili nuk u përmend as në klipin prezantues të Fagut. Tashmë ka një “enigmë” mbi këtë marrëdhënie, teksa kujtojmë se mbrëmjen e djeshme Ahmataj u shkarkua nga kryeqytetasit, ndonëse ende vazhdon të mungojë zyrtarizimi i prishjes së këtij bashkëpunimi.
Kjo lë të kuptohet se marrëdhënia mes palëve është më keq seç duket. Neve nuk na mbetet gjë tjetër veçse të presim në orët në vazhdim nëse klubi bardheblu do të dalë në një deklaratë për të sqaruar këtë çështje dhe pozicionin e Ahmatajt apo do të përsëritet telenovela “ORGES SHEHU”.