
Kastrioti - Skënderbeu është një nga ndeshjet më të rëndësishme të javës së 31-të të Superiores. Mund të konsiderohet sfida që do të vendosë fatet e mbijetesës. Krutanët luajnë për t'iu shmangur zonës "Play-Out", ndërsa korçarët për t'iu larguar zonës së ftohtë. Duke parë rëndësinë e takimit, Sektori i Gjykimit në Federatën Shqiptare të Futbollit ka zgjedhur t'ia besojë arbitrit të FIFA-s, Enea Jorgji.
Eksperienca e elbasanasit në futbollin shqiptarë, tanimë dhe me përvojë në ndeshjet ndërkombëtare, e bëjnë atë të duhurin për të qenë sot kryesor në stadiumin e Kamzës. Ndihmës të tij do të jenë Astrit Mahmuti dhe Mario Shazivari. Duhet theksuar se në Federatën Shqiptare të Futbollit kanë preferuar ta mbajnë emrin e tij të fshehtë në mënyrë që të shmanget presionet nga ana e dy klubeve.
Kastrioti ndodhet në vendin e shtatë me 31 pikë, ndërsa Skënderbeu në të nëntin me 26 pikë. Kjo sfidë është programuar të zhvillohet në orën 16:00, në stadiumin e Kamzës, aty ku krutanët kanë luajtur këtë edicion çdo ndeshje si pritës. /Newsport.al/