Presidenti Armand Duka, foli për mikrofonat e Oversport përpara sfidës Luzi – Korabi teksa do të inagurohet impianti i ri i kavajasve. Një stadium i vogël i ndërtuar me ndihmën e fondeve të FSHF me një fushë cilësore që plotëson të gjitha standartet e këtij niveli futbolli.
“Jo vetëm në Kategorinë e Parë por edhe në një vend të vogël si Luzi është për t’u përgëzuar për shërbimin e futbollit këtu në Luz. Jam i kënaqur që do të inagurojmë një impiant me kualitet, me një fushë cilësore për zhvillimin e aktiviteteve të Kategorisë së Parë dhe pse jo fëmijët e Luzit.
Falenderoj presidentin e Luzit, z.Albert Lusha që është kujdesur bashkë me fondet e FSHF për të bërë këtë impiant të mirë. I përshtatshëm edhe për klube të tjera. Një ministadium që plotëson të gjitha kriteret e këtij niveli.
Gara është shumë e fortë në gjithë tabelën. Kemi disa fitore jashtë fushe, të ekipeve që janë renditur më poshtë me ato të kreut. Një garë interesante edhe me emra që kanë bërë histori në futbollin shqiptar si Apolonia, Skënderbeu, Lushnja, Dinamo etj.
E rëndësishme është që të ketë futboll të bukur sepse jo të gjithë do të fitojnë. I uroj stafit, futbollistëve të Luzit ta gëzojnë fushën. Futbolli nuk është vetëm i Tiranës por i të gjithë territorit dhe kjo është politika jonë, ta organizojmë atë në të gjithë Shqipërinë.”- u shpreh presidenti Duka.